Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, mori pjesë në eventin që shënoi fillimin e 16 ditëve të aktivizmit për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në vend.
Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve, Vellkovski iu referua pasojave të dhunës si dukuri që përfaqëson një nga sfidat më serioze të shoqërisë bashkëkohore.
“Çdo dhunë e përjetuar është makth i vështirë dhe i dhimbshëm për viktimën, andaj, për këtë arsye ne duhet t'i qasemi zgjidhjes së saj energjikisht, rrënjësisht dhe me vendosmëri. Sot jemi këtu së bashku — për ta ndryshuar rrëfimin dhe për t'i dhënë fund dhunës” - tha Vellkovski.
Ai, në emër të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, shprehu falënderim për mbështetjen e agjencive të OKB-së në vend në luftën kundër të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
“Dhuna nuk duhet injoruar! Fatkeqësisht, shifrat tregojnë se në vitin 2025, nga një total prej 1,260 viktimash të regjistruara, plot 932 janë viktima femra të dhunës në familje. Kjo shifër duhet të jetë nxitje për të gjithë ne - të ndërmarrim veprime konkrete për zvogëlimin e dhunës. Zgjidhja e këtij problemi duhet të jetë rrënjësore, vendimtare dhe energjike. Institucionet duhet të veprojnë më aktivisht në përputhje me legjislacionin ekzistues, i cili u jep atyre mandat të qartë për të ndërmarrë masa dhe mekanizma të mbrojtjes” shtoi tutje Vellkovski.
Ai shprehu besueshmërinë e tij se Qeveria dhe Ministria mbeten plotësisht të përkushtuara që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për eliminimin e dhunës në të gjitha format e saj.