Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë në Forumin - Panairin Kombëtar të Organizatave të Shoqërisë Civile me titull “Bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile”, i organizuar në bashkëpunim me programin “Civika Mobilitas”, të financuar nga Konfederata Zvicerane.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Vellkovski theksoi se sistemi modern i mbrojtjes sociale duhet të lëvizë në drejtim të standardeve dhe të praktikave evropiane. Gjithashtu, është me rëndësi të forcohet partneriteti ndërmjet institucioneve shtetërore dhe të organizatave të shoqërisë civile, me qëllim ndërtimin e një sistemi, i cili është funksional, i arritshëm dhe i dobishëm për çdo individ.
“Me përfshirjen e ofruesve të licencuar të shërbimeve dhe me thellimin e bashkëpunimit me sektorin civil, ofrojmë kujdes shtëpiak, asistencë personale, qendra ditore, shtëpi të vogla në grupe dhe një gamë shërbimesh inovative që u përafrohen nevojave reale të qytetarëve. Po ashtu, në partneritet me Komisionin Evropian po zbatohet projekt monitorimi dhe vlerësimi, me fokus në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve” – shtoi më tej, Vellkovski.
Tutje, nënvizoi se Ministria do të vazhdojë të punojë në zhvillimin e formave të reja dhe në përmirësimin e shërbimeve ekzistuese, me qëllim sigurimin e jetës dinjitoze dhe cilësore për pensionistët, të moshuarit dhe të dobëtit, të rinjtë, prindërit dhe fëmijët që gjenden në rrezik social.
“Po ndërtojmë sistem, i cili qytetarin e vendos në qendër - individë të fortë, familje të forta dhe shoqëri humane me mundësi të barabarta për të gjithë” - tha Vellkovski.