Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot, së bashku me kryetarin e Komunës së Butelit, Darko Kostovski, inspektuan punimet ndërtimore të kopshtit të ri për fëmijë në lagjen Butel 2, i cili është në fazën përfundimtare të ndërtimit.
Kopshti i ri mbulon një sipërfaqe prej 1,800 m² dhe do të disponojë tri hyrje, shtatë kënde lojërash me shtatë dhoma gjumi, dy kënde lojërash me dhoma gjumi të përbashkëta, si dhe një hapësirë për çerdhe. Në kuadër të objektit është paraparë edhe hapësirë e posaçme izolimi, si dhe kuzhinë për produktet e qumështit, me të cilat do të sigurohet kujdes cilësor dhe i sigurt për 200 fëmijë të moshës parashkollore.
Kjo është një nga dy kopshtet e reja që po ndërtohen në Komunën e Butelit, ndërkaq, me vënien e tyre në funksion, listat e pritjes për pranim në kopshtet për fëmijë në komunë do të mbeten e kaluar.
Për momentin, vetëm në Shkup, po ndërtohen, po zgjerohen, po rikonstruktohen dhe po përshtaten gjithsej 16 objekte – kopshte për fëmijë, që përfaqëson investim të rëndësishëm në arsimin parashkollor dhe kujdesin për më të vegjlit.
Si Ministri, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, vazhdojmë me përkushtim të investojmë në të ardhmen e fëmijëve tanë, duke krijuar kushte më të mira për rritjen dhe zhvillimin e tyre të duhur, si dhe duke siguruar fëmijëri pa brenga për çdo fëmijë.