Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, mori pjesë në diskutimin kushtuar sfidave dhe prioriteteve për menaxhimin e politikave të migracionit dhe të bashkëpunimit me diasporën.
Eventi u organizua nga Fondacioni për Demokraci “Vestminster” (WFD) në kuadër të projektit “Migracioni qarkullues dhe riinvestimi në Maqedoninë e Veriut”, i mbështetur nga Suedia. Qëllimi ishte identifikimi i praktikave të mira për avancimin e politikave, për përforcimin e koordinimit institucional dhe për krijimin e mundësive për investime nga diaspora.
Në fjalimin e tij hyrës, Sekretari Shtetëror – Sabriu, theksoi prioritetet e punës së Ministrisë, duke theksuar se sfidat demografike, flukset e migracionit dhe kohezioni social kërkojnë partneritet.
Ai theksoi se Qeveria dhe Ministria e kanë vendosur zhvillimin demografik si përparësi kryesore strategjike për periudhën 2024–2028. Me mbështetjen e ekspertëve të UNFPA-së, ka filluar procesi intensiv i përgatitjes së Strategjisë për Zhvillimin Demografik dhe Rezistencën.
“Strategjia e re, e cila është në fazën e saj përfundimtare, ndërlidh ekonominë, politikën sociale, arsimin dhe migracionin në model të vetëm zhvillimor afatgjatë deri në vitin 2044” - vuri në dukje, Sabriu.
Ai e përcaktoi qartë vizionin e Ministrisë: “Të krijojmë shoqëri demografikisht të balancuar, ekonomikisht të begatë, socialisht kohezive dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes”.
Në fjalim u vunë në dukje edhe aktivitetet e planifikuara në fushën e integrimit të të huajve dhe riintegrimit të të kthyerve nga diaspora.
Sabriu informoi se po planifikohet krijimi i Qendrës së Informacionit për Integrim - pikë shërbimi për të gjithë të kthyerit. Qendra do të ofrojë mbështetje gjatë fillimit të biznesit, qasje në grante për të kthyerit e kualifikuar, lehtësim të procedurave administrative dhe ndërlidhje me institucionet.
“Më tej, do të zhvillojmë platformë digjitale për regjistrimin dhe komunikimin me të kthyerit - sepse shteti modern duhet të jetë i qasshëm, i shpejtë dhe efikas” – shtoi më tej, Sabriu.
Fjalimin e tij e përfundoi me porosinë se politikat, të cilat po zbatohen, i referohen mbështetjes së riintegrimit, njohjes së njohurive të fituara jashtë vendit, krijimit të perspektivave për të rinjtë e vendit dhe ndërtimit të shoqërisë, në të cilën, siç theksoi ai, largimi nuk do të jetë domosdoshmëri, por zgjedhje.