Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, u takua sot me Shefin e Zyrës së Programit të Këshillit të Europës në Shkup, Oleg Solldatov.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i suksesshëm midis Ministrisë dhe Këshillit të Evropës deri më sot, si dhe gatishmëria për ta vazhduar dhe përmirësuar më tej atë në disa fusha me rëndësi për politikën sociale.
Bashkëbiseduesit i diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushat e mundësive të barabarta dhe mosdiskriminimit, mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, përfshirjes dhe përmirësimit të kushteve të jetesës së komunitetit rom, anti-ciganizmit, ndihmës ligjore falas dhe strehimit social. U bisedua gjithashtu edhe për mundësitë për vendosjen e bashkëpunimit në përmirësimin e shërbimeve sociale dhe deinstitucionalizimin.
Theks i veçantë u vu në nevojën për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira europiane, për të forcuar kapacitetet institucionale dhe për të zhvilluar zgjidhje që janë në interes të qytetarëve dhe që u përgjigjen nevojave të tyre reale.
"Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem që ofron mundësi të barabarta, dinjitet dhe mbështetje për çdo qytetar. Bashkëpunimi me Këshillin e Europës është i rëndësishëm sepse na lejon të përdorim përvojat dhe standardet evropiane dhe t'i përkthejmë ato në politika konkrete dhe shërbime më të mira për qytetarët", theksoi ministri Vellkovski.
Në takim u shpreh gatishmëria e ndërsjellë për bashkëpunim të mëtejshëm përmes mbështetjes së ekspertëve, trajnimeve, shkëmbimit të përvojave dhe aktiviteteve të përbashkëta, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes sociale dhe politikave gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut.
Ministri Vellkovski dhe Soldatov ranë dakord se partneriteti me Këshillin e Europës përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në procesin e përmirësimit të kapaciteteve institucionale dhe përafrimit të politikave kombëtare me standardet europiane.