Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve tripalëshe të bashkëpunimit për projektin “Përfshirja e fëmijëve romë në arsimin parashkollor”, me të cilat vazhdon mbështetja për përfshirjen e fëmijëve romë nga familjet në rrezik social në institucionet publike komunale – kopshtet për fëmijë.
“Sot bëjmë edhe një hap konkret mbi krijimin e mundësive të barabarta për çdo fëmijë. Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet jashtë mundësisë për zhvillim në fëmijërinë e hershme” – theksoi ministri Vellkovski.
Projekti realizohet që nga viti 2006 në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe me kopshtet për fëmijë. Në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2025, përmes këtij projekti janë përfshirë falas rreth 5.300 fëmijë të komunitetit etnik rom.
Që nga 2018/2019-ta, projekti zbatohet përmes qasjes sistematike, me përfshirjen e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe përjashtimin nga pagesa e participimit për fëmijët romë të familjeve në rrezik social. Me masën përfshihen fëmijët, prindërit e të cilëve janë përfitues të ndihmës minimale të garantuar, fëmijët romë të vendosur në familje kujdestare, fëmijët e prindërve vetushqyes, si dhe fëmijët e familjeve shumanëtarëshe me një prind të punësuar, i cili merr pagë minimale.
Në vitin shkollor 2025/2026, në kopshtet publike për fëmijë në nivel kombëtar janë regjistruar 526 fëmijë romë, nga të cilët 180 fëmijë të familjeve në rrezik social janë përfshirë me lirimin nga participimi.
Për vitin shkollor 2026/2027, është paraparë që projekti të vazhdojë me mbështetje në 22 komuna, me përfshirje të planifikuar prej 390 fëmijësh romë nga familjet në rrezik social.
Ministri Vellkovski theksoi se përfshirja nuk nënkupton vetëm regjistrimin e fëmijës në kopsht, por edhe krijimin e kushteve që të rritet, të socializohet, të mësojë dhe të zhvillohet së bashku me bashkëmoshatarët e tij.
“Qëllimi ynë është i qartë – mundësi të barabarta për çdo fëmijë. Përvoja e viteve të fundit na tregon se çfarë jep rezultate. Hapi i ardhshëm është që mekanizmat e mirë t’i integrojmë në sistem dhe të sigurojmë mbështetje të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet në rrezik social” – tha mes tjerash, Vellkovski.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, si dhe me kopshtet për fëmijë, pasi vetëm përmes veprimit të përbashkët mund të arrihen rezultate të qëndrueshme.
“Investimi në fëmijët është investim në të ardhmen e shtetit. Kur i japim një fëmije mundësi sot, krijojmë shoqëri më të mirë nesër” – tha ministri Vellkovski.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet e përkushtuar në avancimin e gjithëpërfshirjes dhe të krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm për qasje në arsimin parashkollor, veçanërisht për fëmijët dhe familjet në rrezik social.