Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, mbajti sot punëtori, në të cilën u prezantuan 25 projekte për pilotimin e shërbimeve të reja sociale, të orientuara drejt avancimit të mbështetjes dhe kujdesit për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve.
Projektet, të mbështetura nga Ambasada Austriake në partneritet me Ministrinë, paraqesin hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe në zgjerimin e rrjetit të shërbimeve sociale në vend, me fokus në zgjidhje inovative, të qasshme dhe të orientuara lokalisht, që u përgjigjen nevojave reale të qytetarëve.
Në këtë ngjarje foli sekretari shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, i cili theksoi se partneriteti me institucionet austriake përfaqëson shembull të përkushtimit të përbashkët për krijimin e sistemit social më gjithëpërfshirës dhe më human.
“Transformimi social ndodh më afër njerëzve — në komunitete, përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë, qasjeve inovative dhe përmes punës së profesionistëve dhe organizatave qytetare që çdo ditë kontribuojnë që mbështetja të jetë më e qasshme, më humane dhe më efikase” - porositi Sabriu.
Ai shtoi se përballja me varfërinë dhe pastrehësinë, avancimi i qasjes në shërbimet shëndetësore, parandalimi i dhunës me bazë gjinore, si dhe mbështetja e barazisë sociale dhe pjesëmarrjes së komuniteteve, janë çështje që ndodhen në vetë thelbin e sistemit bashkëkohor social.
Në fjalimin e tij, sekretari shtetëror potencoi se institucionet, sektori civil dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar, si pjesë e ekosistemit të përbashkët të mbështetjes sociale.
“Organizatat qytetare janë pjesë e pazëvendësueshme e atij ekosistemi. Afërsia e tyre me komunitetet dhe kuptimi i drejtpërdrejtë i nevojave të njerëzve u mundësojnë të arrijnë aty ku sistemet formale shpesh nuk munden”- theksoi Sabriu.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të sistemeve sociale që janë më të qasshme, më të bazuara në komunitet dhe më të përgjegjshme ndaj nevojave reale dhe të ndryshueshme të qytetarëve. Në këtë drejtim, vazhdojnë përpjekjet për zgjerimin e mbulimit gjeografik të shërbimeve sociale, zhvillimin e modeleve inovative të mbështetjes dhe përforcimin e kapaciteteve të profesionistëve në mbrojtjen sociale.
Qëllimi i përbashkët mbetet i qartë — ndërtim i sistemit, i cili do të sigurojë mbështetje në kohë, të qasshme dhe dinjitoze për të gjithë qytetarët, veçanërisht për kategoritë më të cenueshme.
Nga ana e Ministrisë u shpreh falënderim i sinqertë ndaj Ambasadës së Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ndaj të gjitha organizatave partnere për besueshmërinë e vazhdueshme, mbështetjen dhe përkushtimin e përbashkët në ndërtimin e një shoqërie më të fortë, më gjithëpërfshirëse dhe më humane.