Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, mori pjesë në hapjen zyrtare të Forumit Kombëtar Rinor me titull “Jemi këtu për të qëndruar”, nën organizim të Asociacionit për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor - HERA, me mbështetje të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor - RYCO, Lidhjes Kombëtare Rinore të Maqedonisë – LKRM, Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Në ngjarje morën pjesë edhe kryetarë komunash dhe përfaqësues të organizatave rinore dhe qytetare.
Në këtë ngjarje u nënshkrua Deklarata Rinore me mesazh të përbashkët për pjesëmarrje rinore dhe ndërtim të paqes.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Sekretari Shtetëror, Sabriu, iu referua statistikave, sipas së cilave mbi 50% e të rinjve në vendin tonë mendojnë të largohen jashtë shtetit. Ai u ndal edhe te fakti se papunësia te të rinjtë, megjithëse e zvogëluar, ende mbetet njëra ndër sfidat tona më të mëdha, ndërsa përqindja e të rinjve të përfshirë në vendimmarrje në nivel lokal është njëshifrore.
“Ne jemi një nga vendet e rralla në rajon që kemi miratuar Ligjin e Pjesëmarrjes Rinore dhe Politikave Rinore. Ky nuk është vetëm ligj – është mjet që garanton se çdo komunë duhet të ndajë buxhet për të rinjtë, duhet të formojë këshilla lokale rinore dhe të hapë qendra rinore. Kjo është politikë e suksesshme , të cilën JU e fituat. Shikoni masën për shtesën rinore – mbështetje e drejtpërdrejtë për të rinjtë që punojnë në prodhim, politikë që tregon se shteti mundet dhe duhet të qëndrojë pranë punëtorëve të rinj. Ndryshimet po ndodhin, hap pas hapi” - porositi Sabriu.
Sekretari Shtetëror theksoi se me Deklaratën Rinore për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe ndërtim të paqes, të rinjtë po dërgojnë mesazh drejt Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, drejt RYCO-s dhe drejt gjithë opinionit publik.
“Kjo deklaratë thotë: Ne nuk jemi vetëm përfitues të politikave. Ne jemi arkitektët e tyre” – shtoi mes tjerash, Sabriu.