Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, zhvilloi takim pune me Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në vend, Rita Kolumbija, në të cilin u diskutua për çështjet prioritare të kompetencës së Ministrisë, me theks të veçantë në barazinë gjinore dhe në fuqizimin ekonomik të grave.
Fokusi i bisedimeve u përqendrua në zhvillimin e aftësive të lidershipit dhe të sipërmarrësisë te gratë, në mbështetjen e kategorive të margjinalizuara dhe të cenueshme të grave, si dhe në përfshirjen e tyre më aktive në tregun e punës.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi nevojën për mbështetje sistemike, e cila do të mundësojë mundësi të barabarta për zhvillim profesional dhe pavarësi ekonomike të grave.
Në takim u rishikuan edhe mundësitë e krijimit të programit me qasje shumësektoriale, i cili do t’i ndërlidhë institucionet, vetëqeverisjen lokale, sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile në drejtim të përfshirjes sociale dhe ekonomike të grave të cenueshme.
Ministri Limani theksoi se fuqizimi ekonomik i grave është një nga prioritetet kryesore të Strategjisë së Barazisë Gjinore 2022–2027, i cili parashikon rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, mbështetjen e sipërmarrjes femërore, zvogëlimin e hendekut gjinor në paga, si dhe krijimin e kushteve për harmonizimin e jetës profesionale me atë private.
Bashkëbiseduesit u dakorduan se për zbatim të suksesshëm të këtyre qëllimeve nevojitet koordinim dhe partneritet i fortë me komunitetin ndërkombëtar, me ç’rast OKB-ja mbetet aleate e rëndësishme në avancimin e barazisë gjinore dhe të zhvillimit shoqëror në vend.