Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot realizoi vizitë pune në Komunën e Kumanovës, në kuadër të së cilës vizitoi disa institucione dhe organizata nga fusha e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, me fokus të veçantë në avancimin e përfshirjes dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.
Në kuadër të vizitës, ministri vizitoi IPKKF “Angell Shajçe” – Kumanovë, objektin “Bletëza”, ku u hapën kabinetet e defektologjisë. Gjatë vizitës, ai u njoh me kushtet e punës, aktivitetet dhe mbështetjen profesionale që do t'u ofrohet fëmijëve me aftësi të kufizuara, si dhe me mundësitë për avancimin e kujdesit dhe zhvillimit të të gjithë fëmijëve.
Qëllimi është që kopshtet të jenë vende, në të cilat fëmijët me aftësi të kufizuara do të marrin kujdesin dhe mbështetjen e nevojshme, dhe të gjithë fëmijët të rriten, të mësojnë dhe të zhvillohen në mjedis pranimi, barazie dhe respekti të ndërsjellë.
Në kuadër të vizitës në Komunën e Kumanovës, ministri mori pjesë në panel-diskutimin me temë “Jeta me aftësi të kufizuara – sfidat, mbështetja dhe përfshirja”, organizuar nga Shoqata Qendra Rajonale për Personat me Aftësi të Kufizuara Intelektuale “Poraka Nasha” – Kumanovë, në bashkëpunim me Komunën e Kumanovës dhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.
Gjatë panel-diskutimit u trajtuan çështje të ndërlidhura me sfidat e përditshme me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, nevojën për shërbime të qasshme dhe cilësore, mbështetjen institucionale, si dhe avancimin e përfshirjes dhe mundësive të barabarta në shoqëri.
Vizita e punës përfundoi me vizitën në Qendrën për Punë Sociale në Kumanovë, ku ministri u njoh me funksionimin aktual, me aktivitetet dhe me sfidat në funksionimin e institucionit.
Përmes vizitave të tilla të drejtpërdrejta dhe takimeve me institucionet dhe shoqatat, Ministria vazhdon të ndjekë nga afër gjendjen në terren, të identifikojë nevojat dhe sfidat, si dhe të punojë në avancimin e sistemit të mbrojtjes sociale, me theks të veçantë në qasjen ndaj shërbimeve, mbështetjen e kategorive të cenueshme të qytetarëve dhe ndërtimin e shoqërisë gjithëpërfshirëse për të gjithë.