Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë në shënimin e 80-vjetorit të themelimit të Institucionit Publik „Shtëpia e Fëmijëve 11 Tetori“ – Shkup, institucion i cili prej tetë dekadash është pjesë e zhvillimit të sistemit të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve në vend.
Në fjalimin e tij, ministri Vellkovski theksoi se ky përvjetor përbën një moment të rëndësishëm për t'u shprehur mirënjohje të gjitha brezave të të punësuarve, punonjësve profesionistë dhe bashkëpunëtorëve, të cilët ndër vite i janë përkushtuar kujdesit, mbrojtjes dhe mbështetjes së fëmijëve.
Ai theksoi se ky institucion ka edhe një rëndësi të veçantë personale dhe profesionale për të, duke pasur parasysh se, përpara marrjes së detyrës së ministrit, gjatë kohës kur ishte nëpunës në Ministrinë e atëhershme të Punës dhe Politikës Sociale, kishte bashkëpunuar drejtpërdrejt në aspektin profesional me Shtëpinë e Fëmijëve.
Duke iu referuar zhvillimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, ministri theksoi se procesi i deinstitucionalizimit përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi që vendos në qendër nevojat dhe interesin më të mirë të fëmijës.
„Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem që jo vetëm do të sigurojë mbrojtje dhe kujdes për fëmijët, por do t'u mundësojë atyre edhe një kalim të sigurt drejt jetesës së pavarur, arsimimit, punësimit dhe pjesëmarrjes aktive në shoqëri“, theksoi Vellkovski.
Në këtë drejtim, Ministria vazhdon me përmirësimin dhe zhvillimin e përkujdesjes në familjet kujdestare. Aktualisht, në nivel vendi funksionojnë gjithsej 392 familje kujdestare, në të cilat janë të vendosur 674 fëmijë.
Theks i veçantë iu kushtua edhe angazhimit për riaktivizimin e Programit D10, i cili synon mbështetjen e personave që, deri në mbushjen e moshës 18-vjeçare, kanë pasur statusin e fëmijëve pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore.
Përmes këtij programi pritet që këtyre të rinjve t'u lehtësohet qasja në tregun e punës, t'u krijohen mundësi punësimi, të arrijnë pavarësi ekonomike dhe të aftësohen për një jetë të pavarur. Siç theksoi ministri, mbështetja për ta nuk duhet të përfundojë me arritjen e moshës madhore, por duhet të vazhdojë edhe gjatë periudhës së kalimit të tyre drejt jetesës së pavarur.
Ministri paralajmëroi gjithashtu edhe aktivitete për përmirësimin e gjendjes financiare të familjeve kujdestare, duke përfshirë rritjen e kompensimeve për përkujdesjen e përgjithshme dhe atë nga të afërmit, si dhe përmirësimin e kushteve dhe mbështetjes për familjet që marrin përsipër këtë përgjegjësi të rëndësishme.
„Kujdesi për fëmijët është një detyrim afatgjatë i institucioneve dhe i shoqërisë. Suksesi i vërtetë i sistemit matet me mundësinë që çdo fëmijë të ketë siguri, mbështetje, një fëmijëri dinjitoze dhe perspektiva reale për një të ardhme më të mirë“, u shpreh ministri Vellkovski.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë të punësuarit aktualë dhe të mëparshëm, punonjësit profesionistë, edukatorët dhe bashkëpunëtorët, të cilët gjatë tetë dekadave të fundit kanë kontribuar në zhvillimin dhe funksionimin e institucionit.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet e përkushtuar ndaj përmirësimit të sistemit të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, duke u përqendruar në interesin më të mirë të fëmijës, zhvillimin e formave familjare të përkujdesjes dhe krijimin e kushteve për një të ardhme të sigurt dhe të pavarur për çdo fëmijë.