Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Vellkovski: Shërbimet sociale duhet të jenë të qasshme, cilësore dhe të përshtatura me nevojat e qytetarëve

Vellkovski: Shërbimet sociale duhet të jenë të qasshme, cilësore dhe të përshtatura me nevojat e qytetarëve

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mbajti fjalim në ngjarjen me temë “Shërbimet sociale në Republikën e Maqedonisë së Veriut – përfitimet e deritanishme, zhvillimi dhe mundësitë për avancim”, organizuar nga Qendra Burimore e Prindërve të Fëmijëve me Nevoja të Veçanta.

Në fjalimin e tij, ministri Vellkovski iu referua zhvillimit të deritanishëm të sistemit të shërbimeve sociale, rezultateve të arritura, por edhe sfidave dhe mundësive për avancimin e mëtejshëm të tyre.

“Shërbimet sociale janë shumë më tepër sesa një obligim institucional. Ato janë shprehje e solidaritetit, humanizmit dhe përgjegjësisë së një shoqërie ndaj secilit qytetar të saj. Përcaktimi ynë është të ndërtojmë sistem modern dhe të qasshëm të mbrojtjes sociale, në të cilin mbështetja do të jetë më pranë njeriut – në shtëpinë e tij dhe në komunitetin local”, theksoi ministri Vellkovski.

Ai shtoi se rëndësi të posaçme ka zhvillimi i shërbimeve për ndihmë dhe përkujdesje në shtëpi, asistencë personale, jetesë me mbështetje, qëndrim ditor, si dhe shërbimeve këshillimore dhe të specializuara.

Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për personat me aftësi ndryshe, të moshuarit dhe të gjithë qytetarët që kanë nevojë për mbështetje shtesë, duke u mundësuar më shumë pavarësi, pjesëmarrje aktive në komunitet dhe jetë dinjitoze. Njëkohësisht, ato përfaqësojnë mbështetje të rëndësishme edhe për familjet, të cilat çdo ditë kujdesen për më të afërmit e tyre.

Ministri nënvizoi edhe rëndësinë e zhvillimit të shërbimeve sociale në nivel lokal, përmes partneritetit me komunat, organizatat qytetare dhe ofruesit e licencuar të shërbimeve, me qëllim që mbështetja të jetë e qasshme jo vetëm në qytetet më të mëdha, por edhe në komunat më të vogla dhe zonat rurale.

Duke folur për prioritetet e ardhshme, Vellkovski theksoi se Ministria do të vazhdojë me aktivitete të orientura drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimeve sociale, zgjerimit të qasshmërisë së tyre, përforcimit të kapaciteteve të ofruesve dhe sigurimit të kuadrit profesional dhe të motivuar.

Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet modernizimit dhe digjitalizimit të sistemit, me qëllim thjeshtësimin e qasjes në shërbime, përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe monitorimin më efikas të cilësisë së tyre. Njëherësh, do të vazhdojë përforcimi i partneritetit me komunat, organizatat qytetare dhe të gjithë ofruesit e shërbimeve sociale, si parakusht i rëndësishëm për krijimin e rrjetit funksional dhe të qëndrueshëm të mbështetjes.

“Suksesi i vërtetë i shërbimeve sociale nuk matet vetëm me rezultatet administrative, por me atë se sa kemi arritur t'ia lehtësojmë jetën një personi, t'i sigurojmë më shumë pavarësi dhe t'i ofrojmë mbështetje një familjeje. Qëllimi ynë është të ndërtojmë system, në të cilin shërbimet do t'u përshtaten nevojave të qytetarëve dhe jo qytetarët kufizimeve të sistemit” - porositi ministri Vellkovski.

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, mbetet e përkushtuar në avancimin e sistemit të mbrojtjes sociale, zhvillimin e shërbimeve sociale dhe krijimin e kushteve për qasshmëri, cilësi dhe qëndrueshmëri më të madhe të tyre, në interes të të gjithë qytetarëve.

 

Accessibility Menu