Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, ishte pjesëmarrës në ngjarjen "Dialogu për politikat publike: Sfidat demografike që ndërlidhen me plakjen e popullsisë dhe me implikimet socio-ekonomike në Maqedoninë e Veriut", kushtuar njërës prej çështjeve kryesore të zhvillimit afatgjatë të shtetit.
Në fjalimin e tij, ministri Vellkovski theksoi se ndryshimet demografike, nataliteti i ulët, migrimi dhe plakja e popullsisë ndikojnë drejtpërdrejt në tregun e punës, në qëndrueshmërinë e sistemit social dhe pensional, si dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Ai nënvizoi se politika demografike përbën prioritet kombëtar afatgjatë, i cili kërkon qasje të koordinuar, vizion të qartë dhe masa konkrete, me qëllim krijimin e kushteve që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre në vendin e tyre, familjet të kenë siguri, e qytetarët e moshuar të jetojnë me dinjitet dhe në kushte të sigurta.
Në këtë drejtim, ministri veçoi prioritetet kryesore të Ministrisë, ndër të cilat janë finalizimi dhe miratimi i Strategjisë për Qëndrueshmëri Demografike 2026–2046 dhe Planit të Veprimit 2026–2031, si dhe përgatitja e Ligji të ri të Mbështetjes së Prindërimit. Theks i veçantë iu kushtua avancimit të mbështetjes për prindërit dhe familjet, harmonizimit më të mirë të jetës profesionale me atë familjare, krijimit të perspektivave për të rinjtë dhe zhvillimit të shërbimeve të qasshme për kujdesin dhe mbështetjen e personave të moshuar.
"Qëllimi ynë nuk është vetëm t’u përgjigjemi ndryshimeve demografike, por të krijojmë kushte që qytetarët ta shohin të ardhmen e tyre në vendin e tyre" - tha Vellkovski, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit ndërmjet institucioneve, komunave, komunitetit kërkimor dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ngjarja organizohet në kuadër të projektit rajonal kërkimor, i cili i kushtohet sfidave demografike dhe implikimeve të tyre socio-ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Projekti zbatohet nga Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave (QHKP), me mbështetjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD).
Projekti përfshin tri vende – Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën – dhe shqyrton ndikimet e plakjes së popullsisë, rënies së natalitetit dhe lëvizjeve migratore në zhvillimin ekonomik, tregun e punës, sistemin pensional, mbrojtjen sociale dhe shëndetësore, si dhe qasjen në shërbimet publike.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, mbetet e përkushtuar ndaj hartimit të politikave afatgjata, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, të cilat do të kontribuojnë për qëndrueshmëri demografike, të ardhme më të sigurt për të rinjtë dhe familjet, si dhe jetë dinjitoze për të gjitha gjeneratat.