Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, në praninë e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zëvendësministrit Gjoko Velkovski, kryetarit të Komunës së Gazi Babës, Bobi Stefkovski, deputetëve, këshilltarëve dhe qytetarëve, mori pjesë në inaugurimin e objektit të ri për edukim dhe arsimim parashkollor në vendbanimin Trubarevë, Komuna e Gazi Babës.
Në fjalimin e tij para publikut, Limani theksoi se ky akt nuk përfaqëson vetëm hapjen e objekti të ri, por edhe hapjen e mundësive të reja për më të vegjlit – fëmijët, mbështetje të re për familjet dhe dëshmi tjetër se kur institucionet punojnë me përkushtim, rezultatet janë të dukshme.
“Me këtë kopsht sigurojmë kushte bashkëkohore për përkujdesjen, për edukimin dhe për zhvillimin e hershëm të rreth 60 fëmijëve. Por, nuk bëhet fjalë vetëm për shifra. Bëhet fjalë për 60 familje që fitojnë më shumë siguri, për 60 buzëqeshje fëmijësh dhe për 60 mundësi të reja për fillim të mbarë në jetë. Qëllimi ynë është i qartë – të mos ketë asnjë fëmijë që mbetet pa qasje në kujdes cilësor parashkollor për shkak të mungesës së kapaciteteve. Kështu që, investojmë në kopshte të reja, në zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës për stafin profesional” - theksoi Limani.
Ai vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Komunën e Gazi Babës, e cila gjatë periudhës së kaluar ka punuar për ndërtimin e tre kopshteve të reja, njëri prej të cilëve u vu sot në funksion. Gjithashtu, ai informoi se tashmë ka filluar procedura për ndërtimin e edhe një kopshti të ri në kuadër të kësaj komune. Kjo nënkupton kapacitet të siguruar për rreth 340 fëmijë të rinj vetëm në këtë Komunë.
“Ministria mbetet partner i fuqishëm i çdo vetëqeverisjeje lokale që ka synim të qartë të investojë në fëmijët, në familjet dhe cilësi më të mirë të jetës. Detyrimi ynë është të krijojmë kushte në të cilat familjet e reja do të shohin perspektivë, ndërsa fëmijët do të rriten të sigurt, të lumtur dhe me mundësi të barabarta për zhvillim” - porositi Limani.