Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, sot hapi takimin koordinues me partnerët ndërkombëtarë, kushtuar progresit në zbatimin e mundësive mbi Strategjinë Kombëtare për të Rinjtë dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e politikave rinore.
Në këtë ngjarje morën pjesë koordinatorja rezidente e Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dr. Rita Kolumbia, përfaqësues të GIZ-it, RYCO-së, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, komunitetit të donatorëve, institucioneve dhe partnerëve, të cilët aktivishtkontribuojnë në hartimin dhe në zbatimin e politikave rinore.
Në fjalimin e tij, ministri Limani theksoi se ky takim nuk është vetëm prezantim i arritjeve të deritanishme, por edhe thirrje për koordinim më të fuqishëm dhe veprim të përbashkët në interes të të rinjve.
“Të rinjtë janë burimi ynë më i çmuar. Sot ata përballen me zgjedhje që përcakton të ardhmen e shtetit – nëse do të qëndrojnë dhe do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, ose do ta kërkojnë jashtë vendit. Andaj, politikat rinore nuk janë vetëm çështje e një brezi, por çështje e qëndrueshmërisë demografike, të zhvillimit ekonomik dhe të së ardhmes së Maqedonisë së Veriut” - theksoi Limani.
Ai nënvizoi se Ministria po punon në krijimin e sistemit që do t’u sigurojë të rinjve më shumë mundësi, shërbime cilësore, pjesëmarrje aktive dhe mbështetje për zhvillimin personal e profesiona, me ç’rast, Strategjia Kombëtare për të Rinjtë 2023–2027 përfaqëson dokumentin kryesor strategjik të arritjes së këtyre objektivave.
Ministri njoftoi se në periudhën e ardhshme pritet të miratohet Plani i Veprimit 2026–2027, i cili do t’i shndërrojë përcaktimet strategjike në aktivitete konkrete, të përcaktuara në kohë dhe të mbështetura financiarisht.
Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit të donatorëve, me qëllim që burimet të përdoren në mënyrë më efikase dhe të arrihen rezultate më të mëdha, veçanërisht në zhvillimin e qendrave rinore lokale, këshillave rinorë dhe strategjive lokale për të rinjtë.
“Investimet te të rinjtë nuk janë shpenzim, por investim në kapitalin njerëzor, në stabilitetin demografik, në zhvillimin ekonomik dhe në të ardhmen e shtetit. Vizioni ynë është i qartë – të rinjtë të kenë më shumë arsye për të qëndruar, për t’u zhvilluar dhe për të pasur sukses në vendin e tyre” – tha mes tjerash, Limani.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e deritanishme, duke theksuar se Ministria mbetet partner i hapur, transparent dhe i përkushtuar për një veprim të koordinuar dhe afatgjatë.
Takimi koordinues vazhdoi me prezantimin e progresit të deritanishëm në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për të Rinj, me shkëmbim mendimesh dhe propozimesh për bashkëpunimin e ardhshëm me të pranishmit, si dhe me një përcaktim të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneriteteve në interes të të rinjve dhe të ardhmes së tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut.