Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, në prani të Kryetarit të Qeverisë, Hristian Mickoski, të zëvendësministrit Gjoko Vellkovski, të U.D. së Kryetarit të Komunës së Karposhi, Nedelço Krstevski, të deputetëve, të këshilltarëve dhe të qytetarëve, mori pjesë në fillimin e ndërtimit - gurthemelit të kopshtit të ri për fëmijë në Komunën e Karposhit.
Në deklaratën për media, ministri Limani theksoi se ndërtimi i kopshtit të ri është edhe një dëshmi se investimet në fëmijë janë investime në të ardhmen e shtetit.
“Prioriteti ynë si Ministri është që çdo fëmijë të ketë qasje në kujdes cilësor parashkollor, mjedis të sigurt dhe mundësi të barabarta për zhvillim. Qeveria dhe
Ministria investojnë vazhdimisht në zgjerimin e kapaciteteve të mbrojtjes së fëmijëve, sepse dëshirojmë t’i zvogëlojmë listat e pritjes dhe të krijojmë kushte moderne ku fëmijët do të rriten, do të mësojnë dhe do t’i zhvillojnë potencialet e tyre” -theksoi Limani.
Ai potencoi se ndërtimi i kapaciteteve të reja do të bëhet sipas standardeve më bashkëkohore dhe do të jetë plotësisht gjithëpërfshirës, gjë që është pjesë e përkushtimit të kësaj Qeverie për ndërtimin e shoqëriaë me mundësi të barabarta për të gjithë.
Investimi për objektin e ri arrin në 137,2 milionë denarë, të siguruara me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kopshti i ri do të ketë kapacitet për 130 fëmijë, shtatë dhoma aktivitetesh, një dhomë sensoriale, tarracë të gjelbër në çati dhe hapësirë të rregulluar të jashtme për lojë dhe rekreacion.
Ministri informoi se kopshtet, të cilat, aktualisht janë në ndërtim e sipër, një pjesë e të cilave do të hapen deri në fund të këtij viti dhe vitit të ardhshëm (2026/2027), do të sigurojnë 3.500 vende të reja.
“Do të vazhdojmë t’i mbështesim komunat në realizimin e projekteve të tilla kapitale, sepse mbrojtja e fortë e fëmijëve, kopshtet e qasshme dhe mbështetja për familjet janë kyçe për zhvillimin demografik dhe për të ardhme më të mirë të qytetarëve tanë më të rinj” – porositi mes tjerash, Limani.