Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Limani: Rezistenca demografike është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe të ardhmen e shtetit

Limani: Rezistenca demografike është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe të ardhmen e shtetit

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, sot mori pjesë në Komitetin Punues të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2024–2044, me temë “Demografia – trendet dhe sfidat”, në prani të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, trupit diplomatik, komunitetit akademik, sektorit privat, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit civil.

Në takim u shqyrtuan trendet dhe sfidat aktuale demografike, si çështje me rëndësi thelbësore për të ardhmen e shoqërisë dhe për arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Ministri Limani theksoi rëndësinë e qasjes së koordinuar dhe gjithëpërfshirëse, duke potencuar hapjen për bashkëpunim dhe krijimin e mekanizmit të qëndrueshëm të komunikimit ndërmjet të gjitha palëve relevante, me qëllim shqyrtimin sistematik të propozimeve dhe të politikave.

“Jetojmë në kohë transformimesh globale, ku ndryshimet demografike, pabarazitë ekonomike, sfidat klimatike, digjitalizimi dhe migracionet ndikojnë fuqishëm në zhvillimin shoqëror. Çështjet demografike nuk janë më vetëm statistikë – ato janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut, drejtësinë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm” - theksoi Limani.

Ai nënvizoi se koncepti i rezistencës demografike nënkupton aftësinë e shoqërisë për t’i njohur dhe për t’i menaxhuar me kohë ndryshimet, përmes politikave, të cilat, në qendër i vendosin njerëzi. Në këtë drejtim, shtoi se prioritet i Ministrisë është investimi në kapitalin njerëzor, veçanërisht te të rinjtë dhe familjet, përmirësimi i sistemit të mbrojtjes sociale dhe zhvillimi i shërbimeve sociale të qasshme dhe cilësore.

Limani u ndal edhe te emigrimi, si njëra ndër sfidat më të mëdha, veçanërisht te të rinjtë, duke theksuar se politikat e migracionit dhe të rikthimit janë pjesë integrale e strategjisë për rezistencë demografike.

“Po punojmë në krijimin e kushteve të riintegrimit më të lehtë të të kthyerve dhe në ndërtimin e perspektivës që të rinjtë ta planifikojnë të ardhmen e tyre në shtetin e tyre” - tha ai.

Ministri informoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka vendosur zhvillimin demografik si prioritet të lartë strategjik, me ç’rast është finalizuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Rezistencë Demografike, me mbështetjen e UNFPA-së, Kombeve të Bashkuara dhe bashkëpunimit të gjerë të ekspertëve dhe atë institucional. Dokumenti është i harmonizuar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2023–2042 dhe Kornizën e Bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara 2026–2030.

Paralelisht, siç theksoi ai, po punohet edhe në përgatitjen e një ligji të ri sistemor të menaxhimit të migracioneve dhe riintegrimin e të kthyerve, i bazuar në përvoja dhe në praktika bashkëkohore evropiane.
 
“Qasja jonë është e qartë – stabiliteti afatgjatë demografik dhe ekonomik ndërtohet përmes politikave, të cilat i përforcojnë të drejtat, zgjedhjet dhe mundësitë e qytetarëve” - porositi ministri Limani.

Accessibility Menu