Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, sot mori pjesë në takimin e 17-të të Grupit Punues Sektorial për Arsim, Punësim dhe Politikë Sociale, ku prezantoi prioritetet dhe proceset kryesore që Ministria i zbaton në mënyrë aktive.
Në fjalimin e tij, Sabriu theksoi se tema të tilla si arsimi, punësimi i denjë, mbrojtja e fuqishme sociale, demografia e qëndrueshme dhe barazia gjinore nuk janë vetëm pjesë e axhendës evropiane, por themeli i shoqërisë, të cilën duam ta ndërtojmë.
“Qëllimi ynë është i thjeshtë, por ambicioz - standard më i mirë i jetesës, ekonomi dinamike dhe shoqëri, në të cilën çdo person ka shans të barabartë dhe real për sukses. Sfidat demografike nuk janë vetëm numra, por rrëfim për familjet, për të rinjtë, të cilët mendohen nëse do të qëndrojnë në shtëpi. Andaj, po fillojmë një proces gjithëpërfshirës të Masave të Revitalizimit Demografik 2026–2046, që të krijojmë një vend, në të cilin vlen të jetohet dhe të krijohet familje” – tha mes tjerash, Sabriu.
Në kuadër të prioriteteve të prezantuara, Sabriu informoi se Qeveria ka miratuar tashmë Planin Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve 2025–2029, i cili e përforcon ndjeshëm sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe e zbaton Garancinë Evropiane për Fëmijë.
Si prioritete kryesore të Ministrisë, Sabriu theksoi:
-Përgatitjen e ndryshimeve ligjore për përforcim të transferimeve sociale, përfshirë rritjen e një pjese të kompensimeve për fëmijë dhe shqyrtimin e vendosjes së përfitimit universal për fëmijë.
-Përmirësimin e qasjes në shërbimet bazë për fëmijë: kujdes cilësor në fëmijërinë e hershme, kontrolle shëndetësore dhe ilaçe falas, si dhe rritje e kapaciteteve të kopshteve.
-Mbështetjen gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara me fokus në deinstitucionalizimin, mbështetjen e familjes dhe zhvillimin e shërbimeve komunitare.
Sabriu informoi se qasja në shërbimet sociale është përmirësuar ndjeshëm - sot operojnë 160 ofrues të licencuar, të cilët ofrojnë shërbime për mbi 5,200 përfitues, ndërkaq, Buxheti i vitit 2026 parashikon një rritje të re prej 10% për financim të sigurt dhe në kohë.
Sistemi i integruar i informacionit për mbrojtjen sociale është tashmë funksional në shumicën e qendrave, duke mundësuar transparencë, efikasitet dhe cilësi më të madhe në punë.
Vazhdon edhe Finalizimi i Ligjit të Rehabilitimit Profesional dhe Punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara, me të cilin, për herë të parë vendosen kuota të detyrueshme punësimi në sektorin publik dhe privat.
Ministria mbetet e përkushtuar në zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve 2022–2030, si dhe ndaj përgatitjes së Ligjit të Strehimit Social, i cili do të adresojë në mënyrë sistematike nevojën për strehim të sigurt.
Sabriu i theksoi edhe masat e përmirësimit të kushteve të pensionistëve. Të tilla si: rritja e pensioneve me një total prej 5,000 denarësh në vitin 2024 dhe rritje të reja të shpallura prej 1,000 denarësh në shtatorin e 2025-ës dhe në marsin e 2026-ës.
Duke folur për të rinjtë, Sabriu theksoi se ata janë kapitali më i fortë i vendit. Ministria po përgatit një Plan të ri Akcionaë për Strategjinë Kombëtare të të Rinjve, i cili do t’i bashkojë institucionet, bizneset dhe sektorin civil rreth mbështetjes dhe zhvillimit të të rinjve.
Në fushën e barazisë gjinore, është duke u finalizuar Plani i Dytë Akcional për Barazinë Gjinore 2025–2027, si dhe është duke u përgatitur Strategjia e re Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna me Bazë Gjinore 2026–2033, sepse “çdo person, dhe veçanërisht çdo grua, duhet të ndihet e sigurt”.
Në fund, Sabriu porositi: “Asnjë ministri nuk mund t'i zgjidhë të gjitha sfidat e vetme. Por së bashku - institucionet,komunat, shoqëria civile, donatorët dhe komuniteti - mund ta transformojmë vendin. Detyra jonë është e qartë: të krijojmë kushte që çdo person të arrijë potencialin e tij dhe të ndërtojmë një vend që nuk e braktisim, por përkundrazi e zhvillojmë”.