Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, UNICEF-in dhe ekipet e ekspertëve, fillon me pilotimin e Programit të ri për Mësim të Hershëm dhe Zhvillim, me qëllim avancimin e cilësisë së edukimit dhe të arsimit parashkollor në vend.
Në eventin e sotëm kushtuar pilotimit, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, theksoi se ky proces përfaqëson hap të rëndësishëm drejt krijimit të mjedisit më cilësor edukativo-arsimor, në qendër të të cilit janë fëmija, nevojat, interesat, mundësitë dhe zhvillimi i tij individual.
“Në fokus të programit të ri është fëmija, nevojat, interesat, mundësitë dhe zhvillimi i tij individual. Ai orientohet drejt krijimit të kushteve që fëmija të mësojë përmes lojës, të eksplorojë, të fitojë përvoja të reja, të avancojë komunikimin dhe të marrë pjesë në mënyrë aktive” - theksoi ministri Vellkovski.
Pilotimi do të zbatohet në 11 kopshte për fëmijë në mbarë vendin, të përzgjedhura me qëllim që të përfshihen kontekste të ndryshme rajonale, gjuhësore dhe sociokulturore. Në këtë mënyrë do të mundësohet verifikimi i qartësisë, zbatueshmërisë dhe përshtatshmërisë së programit në kushte dhe në mjedise të ndryshme, në të cilat funksionojnë kopshtet për fëmijë.
Në fjalimin e tij, ministri Vellkovski theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të drejtorëve, edukatorëve, bashkëpunëtorëve profesionalë dhe të gjithë profesionistëve të përfshirë në këtë proces. Prej tyre pritet të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojën e tyre, të ndjekin zhvillimet gjatë zbatimit, të identifikojnë sfidat dhe të shpërndajnë informacione kthyese, të cilat do të ndihmojnë në avancimin e mëtejshëm të programit.
“Krahas përvojave pozitive, dëshirojmë të mësojmë edhe se me cilat vështirësi jeni përballur, për çka nevojitet sqarim shtesë dhe cilat pjesë të programit duhet të plotësohen ose të ndryshohen. Vetëm përmes dialogut të hapur dhe profesional mund të arrijmë zgjidhje që do të jenë të zbatueshme dhe të qëndrueshme në punën e përditshme të kopshteve” - theksoi ministri.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim të ngushtë me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, UNICEF-in dhe ekipet e ekspertëve, do të ndjekë zbatimin e pilotimit, do të ofrojë mbështetje profesionale dhe do të mbledhë përvojat dhe informacionet kthyese nga pjesëmarrësit në këtë proces.
Më tej, ministri theksoi se pilotimi nuk përbën mbikëqyrje inspektuese, as vlerësim të punës së edukatorëve apo të kopshteve për fëmijë, por mundësi për mësim të përbashkët, verifikim dhe avancim të programit, para zbatimit të tij në nivel kombëtar.
“Përgjegjësia jonë e përbashkët është që programi i ri të mos mbetet vetëm në letër, por të jetë kornizë e qartë, fleksibile dhe e zbatueshme për punë edukativo-arsimore cilësore” – tha mes tjerash, Vellkovski, duke shprehur bindjen se njohuritë, profesionalizmi, përvoja dhe përkushtimi i të gjithë të përfshirëve, do të kontribuojnë në zbatimin e suksesshëm të pilotimit.