Me rastin e Ditës Evropiane të Drejtësisë, Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, mbajti një fjalim në eventin “Ta përafrojmë drejtësinë te qytetarët”!, të organizuar nga Zyra e Programit të Këshillit të Evropës në Shkup. Eventi u mbajt në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës: “Drejt sistemit të fortë dhe më efikas të ndihmës juridike falas (SLP) në Maqedoninë e Veriut" dhe “Parandalimi i urrejtjes dhe i intolerancës në Maqedoninë e Veriut".
Në fjalimin e tij, zëvendësministri Velkovski theksoi rëndësinë e sigurimit të qasjes së barabartë, të drejtë dhe të arritshme në drejtësi për çdo qytetar, me ç’rast vëmendje e veçantë i kushtohet përforcimit të të drejtave të kategorive të cenueshme. Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet fuqimisht e përkushtuar në krijimin e politikave gjithëpërfshirëse, të cilat promovojnë barazi, dinjitet dhe pjesëmarrje aktive të të gjithë qytetarëve.
“Çdo qytetar duhet të ketë qasje të lehtë dhe të sigurt në drejtësi. Është detyrimi ynë të sigurojmë sistem, i cili vërtet i dëgjon, i mbështet dhe i fuqizon grupet e cenueshme. Drejtësia, barazia dhe dinjiteti janë themeli i shoqërisë që përparon”, potencoi Velkovski, duke nënvizuar se ndryshimet sistemike dhe partneriteti me sektorin e shoqërisë civile janë çelësi i reformave të suksesshme.
Në event u shpallën edhe fituesit e konkursit të vizatimit dhe të eseve “Ta përafrojmë drejtësinë te qytetarët”, të cilëve iu ndanë mirënjohje për kontributin e tyre kreativ dhe të rëndësishëm shoqëror.
Ministria vazhdon me vullnet të fuqishëm politik dhe punë të vazhdueshme për ndërtimin e një shteti gjithëpërfshirës, më të drejtë dhe më të mirë për të gjithë - një shtet, në të cilin, asgjë që u referohet grupeve të cenueshme, nuk do të miratohet pa pjesëmarrjen e tyre aktive.