Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot zhvilloi takim me Christopher Levick, Drejtor Rajonal i Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD) për Evropën dhe Azinë Qendrore, në të cilin u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të tij.
Në takim morën pjesë edhe Damir Neziri, drejtor i WFD-së për Ballkanin Perëndimor, Dona Kosturanova, drejtoreshë e WFD-së në Maqedoninë e Veriut, dhe Nami Isaki, koordinatore e programit.
Ministri Vellkovski theksoi rëndësinë e partneritetit me WFD-në, veçanërisht në fushat e ndërlidhura me migrimin qarkor, diasporën dhe të kthyerit, si dhe me krijimin e kushteve për shfrytëzim më të mirë të potencialit ekonomik, njerëzor dhe të dijes së diasporës për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.
“Emigrimin e të rinjve duhet ta shqyrtojmë edhe nga aspekti i trendeve demografike, të cilat janë me rëndësi thelbësore për zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të shtetit dhe për krijimin e politikave të ardhshme. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte që të rinjtë ta shohin Maqedoninë e Veriut si një vend ku mund ta ndërtojnë jetën e tyre, të zhvillojnë njohuritë dhe potencialet e tyre dhe të kontribuojnë aktivisht drejt zhvillimit të shtetit. Të rinjtë dhe potenciali i tyre janë një nga shtyllat kryesore të së ardhmes së këtij shteti, andaj politikat për të rinjtë duhet të jenë afatgjata, të koordinuara dhe të orientuara drejt rezultateve konkrete” - theksoi ministri Vellkovski.
Gjatë periudhës së kaluar, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve ishte e përfshirë në mënyrë aktive në aktivitete të ndryshme në kuadër të programit “„Unlocking Sustainable Growth: A Systemic Approach to Circular Migration and Economic Investment in North Macedonia” (Zhbllokimi i rritjes së qëndrueshme: Qasje sistemike ndaj migrimit qarkor dhe investimeve ekonomike në Maqedoninë e Veriut), i mbështetur nga Suedia.
Bashkëpunimi përfshiu pjesëmarrjen në analiza dhe procese konsultative, vizita studimore rajonale dhe shkëmbim përvojash me institucione dhe organizata nga Serbia, Shqipëria dhe Kosova.
Në takim u vlerësua se bashkëpunimi i deritanishëm ka vazhdimësi dhe po thellohet gradualisht. Ministria nuk është vetëm pjesëmarrëse në aktivitete të veçanta, por një ndër partnerët kryesorë institucionalë të procesit.
Posaçërisht e rëndësishme është se përvojat dhe rekomandimet e fituara nga rajoni janë shqyrtuar në kontekstin kombëtar dhe ndërlidhen me prioritetet dhe masat e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit.
Në bisedë u theksua qasja e koordinuar institucionale në krijimin dhe në zbatimin e politikave të ndërlidhura me migracionin, të rinjtë dhe diasporën. Në këtë proces, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, është njëra ndër institucionet kryesore, së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Agjencinë e Emigracionit, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës dhe institucionet e tjera përkatëse.
Veprimi i përbashkët dhe koordinimi më i mirë ndërinstitucional janë të domosdoshëm për krijimin e mekanizmave funksionalë përmes të cilëve potenciali i të rinjve, diasporës dhe personave të kthyer do të vihet në funksion të zhvillimit socio-ekonomik të shtetit.
“Për ne është veçanërisht e rëndësishme që çdo bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të sjellë vlerë konkrete të shtuar për qytetarët dhe institucionet. Përvojat dhe praktikat e mira që shkëmbejmë duhet t’i shndërrojmë në politika dhe masa konkrete, veçanërisht kur bëhet fjalë për krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë, personat e kthyer, për përfshirjen e diasporës dhe për shfrytëzimin e potencialit të saj në zhvillimin e shtetit” – tha mes tjerash, ministri Vellkovski.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet e përkushtuar ndaj vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit me WFD-në dhe me të gjitha institucionet dhe partnerët përkatës, me qëllim që shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës të shndërrohet në politika dhe masa konkrete, me përgjegjësi të qartë institucionale dhe zbatim praktik.