Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë në Forumin Rajonal me temë “Udhëheqja lokale për të rinjtë, paqen dhe sigurinë: Avancimi i Agjendës për të Rinjtë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, i cili mbahet në Shkup, nga 20 deri më 22 tetor të 20260-ës.
Forumi i kushtohet avancimit të pjesëmarrjes së të rinjve, përforcimit të udhëheqjes lokale dhe rolit të institucioneve në krijimin e kushteve për përfshirjen aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes.
Në fjalimin e tij, ministri Vellkovski theksoi rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Ligjit të Pjesëmarrjes së të Rinjve dhe Politikave Rinore, si dhe nevojën për mekanizma funksionalë lokalë, të cilët do t'u mundësojnë të rinjve të ndikojnë në mënyrë thelbësore në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tyre.
“Si Ministri dhe si Qeveri, kemi qëndrim të qartë: të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm temë e politikave tona, por partnerë aktivë në hartimin e tyre” - theksoi ministri Vellkovski.
Ai potencoi se komunat kanë rol kyç në zbatimin e politikave rinore përmes këshillave funksionale rinore, zyrtarëve aktivë për rininë, aktiviteteve konkrete lokale dhe mbështetjes së përshtatshme buxhetore.
“Politikën rinore duhet ta shohim si investim në zhvillimin dhe në stabilitetin e komuniteteve tona, e jo si detyrim formal. Kur të rinjtë shohin se zëri i tyre dëgjohet dhe se propozimet e tyre mund të sjellin ndryshime, krijohet besim te institucionet” – tha Vellkovski.
Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, me qëllim zbatimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore dhe sigurimin e mundësive të barabarta për të rinjtë, pavarësisht vendbanimit të tyre.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë kanë Strategjia Kombëtare për Rininë dhe Plani i Veprimit, si instrumente për shndërrimin e përcaktimeve strategjike në aktivitete konkrete dhe rezultate të matshme, përfshirë edhe integrimin e parimeve të Agjendës për Rininë, Paqen dhe Sigurinë.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, vazhdon bashkëpunimin me pushtetin lokal, organizatat rinore dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me qëllim përforcimin e kapaciteteve institucionale, si dhe avancimin e pjesëmarrjes së të rinjve, të gjithëpërfshirjes dhe të dialogut konstruktiv.
Ministri Vellkovski shtoi se rezultatet e pritshme nga Forumi duhet të shndërrohen në angazhime konkrete në nivel lokal, në bashkëpunim më të fuqishëm rajonal dhe në partneritete të qëndrueshme, të cilat do të kontribuojnë drejt krijimit të shoqërisë, në të cilën të rinjtë kanë mundësi reale të marrin pjesë në formësimin e së ardhmes së tyre dhe të së ardhmes së përbashkët.