Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Kumtesë për publikun

Ministria e Politikës Sociale, e Demografisë dhe e të Rinjve Ministria e Politikës Sociale, e Demografisë dhe e të Rinjve

Lidhur me rastin tragjik në të cilin nënа dhe fëmija i saj humbën jetën, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë shpreh ngushëllime të thella për familjen dhe të afërmit.

Duke vepruar në përputhje me kompetencat ligjore dhe parimin e kujdesit të duhur, Ministria menjëherë zbatoi mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, me qëllim të përcaktimit të plotë dhe të paanshëm të gjendjes faktike dhe mënyrës së veprimit të institucionit.

Sipas informacioneve fillestare nga inspektorët, e ndjera së bashku me bashkëshortin janë evidentuar për herë të parë në Qendër më 07.10.2025, me kërkesë të Gjykatës Themelore Civile për veprim sipas padisë së paraqitur për shkurorëzim.

Sa i përket dhunës së raportuar, shkresë nga Ministria e Punëve të Brendshme është pranuar dhe protokolluar në Qendër më 02.02.2026, e cila i referohet një ngjarjeje të ndodhur më 19.12.2025, për kundërvajtje të kryer kundër rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht sulm fizik nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes.

Ministria ka qëndrim të qartë dhe të prerë: çdo lëshim i mundshëm, mosveprim në kohë apo mosrespektim i detyrimeve ligjore duhet të përcaktohet plotësisht dhe përgjegjësia duhet të mbahet në përputhje me ligjin.

Mbrojtja e viktimave të dhunës dhe parandalimi i dhunës në familje janë prioritet i lartë dhe nuk do të lejojmë që dobësitë institucionale të mbeten të paadresuara.

Mbikëqyrja inspektuese është në vijim, ndërsa pas përfundimit të saj Ministria do ta informojë në mënyrë transparente opinionin për gjetjet dhe masat e mëtejshme.

Ministria do ta ndjekë me kujdes rastin dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj për të siguruar përgjegjësi të plotë dhe forcimin e sistemit të mbrojtjes.

Accessibility Menu