Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, sot mori pjesë në prezantimin e Analizës së Dallimeve në Rekomandimet e të Drejtave dhe Shërbimeve për Fëmijët dhe të Rinjtë me Aftësi Ndryshe, të zbatuar nga Shoqata e Edukatorëve Specialë dhe Rehabilituesve në bashkëpunim me UNICEF-in.
Para të pranishmëve, Sabriu theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të analizës, e cila duhet të ofrojë pamje të qartë se si metodologjia e vlerësimit ndikon drejtpërdrejt në qasjen ndaj të drejtave, shërbimeve dhe mbështetjes për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi ndryshe.
Dallimet në realizimin e të drejtave dhe të shërbimeve të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi ndryshe me vlerësimin funksional ekzistues të përcaktuar në Rregulloren e Vlerësimit Funksional dhe me propozim-metodologjinë e re universale, do të jenë “input”(hyrje) për krijimin e sistemit më të drejtë, më efikas dhe më të fokusuar drejt nevojave reale të fëmijës.
“Për Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, avancimi i proceseve të vlerësimit të aftësisë ndryshe nuk është çështje administrative, por çështje e të drejtave dhe e dinjitetit njerëzor. Përkushtimi ynë është i qartë - të ndërtojmë sistem që nuk përjashton, por, përkundrazi, mundëson qasje në shërbime dhe mbështetje në kohë, të barabartë dhe të vazhdueshme. Njëherësh, analiza të tilla na ndihmojnë të marrim vendime të bazuara në prova, me vlerësim të qartë të implikimeve financiare dhe të qëndrueshmërisë së sistemit” - tha mes tjerash, Sabriu.
Ai nënvizoi se reformat duhet të bazohen në bashkëpunim - ndërmjet institucioneve, komunitetit profesional, sektorit të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Ministria do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive në avancimin e politikave, të proceseve dhe të shërbimeve, me vizion të qartë: çdo fëmijë dhe çdo i ri me aftësi ndryshe të marrë mbështetje të drejtë, në kohë dhe të përshtatur sipas nevojave të tyre”, tha Sabriu.