Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në partneritet me Fondin e Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA), më 7 dhe 8 maj 2026 në Shkup organizoi Konferencën Rajonale Ministrore–“Udhëheqja e ndryshimeve: Rrugët drejt qëndrueshmërisë demografike në përputhje të nevojave të njerëzve”. Konferenca u mbajt nën patronazhin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski.
Konferenca mblodhi ministra, përfaqësues të lartë qeveritarë, ekspertë ndërkombëtarë të mbi 30 vendeve, si dhe përfaqësues të OKB-së, të Këshillit të Evropës, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Fokusi kryesor ishte zhvillimi i përgjigjeve të përbashkëta ndaj transformimeve të thella demografike që po e formësojnë rajonin e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore.
Konferencën e hapi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski. Në fjalimin e tij theksoi:
“Jemi të vetëdijshëm se nataliteti i ulët, emigrimi dhe largimi i të rinjve dhe njerëzve të arsimuar janë çështje që nuk mund të zgjidhen brenda natës. Por po ashtu jemi të vetëdijshëm se shteti nuk duhet të qëndrojë anash dhe t’i vëzhgojë pasivisht këto procese. Përcaktimi ynë është i qartë — në vend të politikës së frikës, po ndërtojmë politikë të qëndrueshmërisë. Në vend të masave afatshkurtra, po krijojmë strategji afatgjatë. Në vend të angazhimeve deklarative, po vendosim zgjidhje sistemore. Pikërisht për këtë kemi përgatitur Strategjinë e re për qëndrueshmëri demografike 2026–2046. Jo si dokument formal që do të mbetet vetëm në letër, por si kornizë kombëtare për të ardhmen e shtetit. Kjo Strategji është ndërtuar mbi ide të thjeshtë, por thelbësore — se forca më e madhe e një shteti nuk janë burimet, nuk janë shifrat, por njerëzit. Ajo nuk bazohet në masa të izoluara dhe politika “ad hoc”. Ajo përfaqëson qasje gjithëpërfshirëse, e cila i ndërlidh ekonominë, arsimin, shëndetësinë, punën, politikën sociale, strehimin, transformimin digjital dhe zhvillimin rajonal” – theksoi, Mickoski.
Ministri Fatmir Limani shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit që kontribuojnë në krijimin e mekanizmave më të fuqishëm për ndërtimin e zgjidhjeve të qëndrueshme demografike.
“Koncepti i qëndrueshmërisë demografike po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Ai nënkupton aftësinë e shoqërive për të njohur, përshtatur dhe menaxhuar ndryshimet demografike përmes politikave që vendosin njerëzit dhe të drejtat e tyre në qendër. Duke pasur parasysh se zhvillimi i një politike gjithëpërfshirëse demografike është prioriteti ynë strategjik, vizioni ynë është i orientuar drejt ndërtimit të një shoqërie që investon në kapitalin njerëzor. Jemi të përkushtuar në mbështetjen e familjeve, avancimin e mbrojtjes së fëmijëve, zhvillimin e shërbimeve sociale dhe mundësi të barabarta për të gjithë” - theksoi Fatmir Limani.
Ai bëri thirrje për veprim të përbashkët, ndarje të njohurive dhe zgjidhje të koordinuara, të cilat do të lidhin rajonet dhe do të krijojnë mundësi të qëndrueshme për të gjitha gjeneratat.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, iu referua parimeve të Agjendës 2030, sipas së cilës qëllimi është ndërtimi i një shoqërie të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe prosperuese, e cila do të krijojë mundësi dhe jo arsye për largim.
“Në aspekt të politikës së jashtme, diaspora jonë përfaqëson potencial të jashtëzakonshëm dhe urë natyrore ndërmjet shtetit tonë dhe botës. Ajo lidh njerëzit, ekonomitë, dijen dhe mundësitë e reja. Pikërisht për këtë, përmes Strategjisë së re për bashkëpunim me diasporën 2025–2030, duam të ndërtojmë lidhje më të forta dhe më dinamike me qytetarët tanë jashtë vendit. Ambicia jonë është të dalim nga korniza e remitancave tradicionale dhe të krijojmë partneritete afatgjata investuese dhe zhvillimore. Qytetarët tanë nëpër botë tashmë luajnë një rol të rëndësishëm në hapjen e tregjeve të reja, tërheqjen e investimeve dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit”, - tha Timço Mucunski.
“Qëndrueshmëria demografike është e rëndësishme sepse nënkupton investim te njerëzit sot, me qëllim që secili të mund të jetojë jetë dinjitoze dhe produktive nesër”, tha Pio Smith, Ndihmëssekretar i Përgjithshëm i OKB-së dhe Zëvendësdrejtor Ekzekutiv i UNFPA-së, Fondit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara.
Rita Kolumbia, Koordinatore e Përhershme OKB-së në Maqedoninë e Veriut, në fjalimin e saj theksoi:
“Sfidat demografike të Maqedonisë së Veriut kërkojnë veprim urgjent – investim tek të rinjtë, përfshirje të atyre që janë lënë pas dore dhe sigurim të mundësive të barabarta për çdo grua dhe burrë. Mbrojtja e të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit nuk është çështje zgjedhjeje; ajo është themeli i qëndrueshmërisë demografike. Kur ta arrijmë këtë, ne përshpejtojmë progresin drejt Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe ndërtojmë prosperitet të qëndrueshëm kombëtar".
Konferenca dyditore synon ta orientojë debatin rajonal nga “shqetësimi demografik” drejt “qëndrueshmërisë demografike” – përmes politikave të bazuara në dëshmi dhe të drejtat e njeriut, të cilat fuqizojnë njerëzit dhe i bëjnë shoqëritë më të adaptueshme dhe më gjithëpërfshirëse.
Pjesëmarrësit do të punojnë në përcaktimin e udhërrëfyesit të përbashkët për politika që do të mundësojnë ndërtimin e ekonomive dhe shoqërive të qëndrueshme, të gatshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve demografike dhe për ta shfrytëzuar potencialin e tyre më të madh – njerëzit.