Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale e Republikës së Turqisë, nënshkruan memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e shërbimeve sociale.
Dokumentin e nënshkruan ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjoko Vellkovski, dhe ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale e Republikës së Turqisë, Mahinur Ozdemir Goktash.
Memorandumi përbën bazë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave të mira në disa fusha me rëndësi për avancimin e mbrojtjes sociale dhe mirëqenien e qytetarëve.
Bashkëpunimi përfshin fusha të ndërlidhura me përforcimin e familjes, me zhvillimin dhe me avancimin e shërbimeve sociale për familjet, gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, si dhe përmirësimin e integrimit social të personave me varësi.
Vëmendje e veçantë është paraparë edhe mbi avancimin e politikave dhe të shërbimeve për punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri, mbështetjes së plakjes aktive, zhvillimit të shërbimeve për fëmijët, fuqizimit të grave dhe zhvillimit të mekanizmave të bashkëpunimit në luftën kundër dhunës ndaj grave.
Memorandumi parashikon edhe shkëmbimin e përvojave në fushën e ndihmës sociale, praktikave të shërbimeve sociale, monitorimit dhe vlerësimit të tyre, si dhe zbatimin e analizave kulturore, demografike dhe socio-ekonomike për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve romë.
Bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive do të realizohet përmes shkëmbimit të njohurive, dokumenteve dhe praktikave më të mira, shkëmbimit të ekspertëve, si dhe organizimit të konferencave, seminareve dhe takimeve profesionale.
“Me nënshkrimin e këtij Memorandumi krijojmë bazë shtesë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, si dhe për avancimin e politikave dhe shërbimeve sociale. Qëllimi ynë është që praktikat dhe përvojat e mira t’i shndërrojmë në zgjidhje konkrete, të cilat do të kontribuojnë në cilësi më të mirë të jetës dhe mbrojtje sociale më të fuqishme për qytetarët” - theksoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski.
Me Memorandumin vendoset kornizë për komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm institucional ndërmjet dy ministrive, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e përbashkët të politikave dhe të shërbimeve në fushën e mbrojtjes sociale.
Memorandumi është lidhur për një periudhë prej pesë vitesh, me mundësi vazhdimi automatik.