Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot zhvilloi takim pune me kryetarë të komunave dhe me përfaqësues të komunave, kushtuar Thirrjes Publike aktuale për përfitimin e granti mbi zgjerimin e kapaciteteve të institucioneve të përkujdesjes dhe të edukimit të fëmijëve të moshës parashkollore. Thirrja Publike do të zgjasë deri më 30 shtator 2026.
Takimi, i cili u mbajt në Klubin e Deputetëve në Shkup, u organizua në kuadër të projektit të dytë për përmirësimin e shërbimeve sociale, me qëllim që komunat të informohen më hollësisht për mundësitë që ofron Thirrja Publike, mënyrën e aplikimit dhe mbështetjen në dispozicion gjatë përgatitjes së aplikimeve projektuese.
Në takim u theksua rëndësia e shfrytëzimit të hapësirave të papërdorura shkollore dhe komunale, të cilat, përmes rinovimit, përshtatjes dhe pajisjes, mund të shndërrohen në hapësira të përkujdesjes dhe të edukimit të fëmijëve të moshës parashkollore.
Ministri Velkovski theksoi se zgjerimi i kapaciteteve të kopshteve të fëmijëve është prioritet i rëndësishëm, veçanërisht në zonat ku ka mungesë të vendeve për përkujdesjen e fëmijëve.
"Qëllimi ynë është të krijojmë kushte që çdo fëmijë të ketë qasje ndaj shërbimeve cilësore të përkujdesjes dhe të edukimit, e njëkohësisht t’i ndihmojmë komunat t'i shfrytëzojnë hapësirat dhe resurset ekzistuese. Me këtë thirrje krijojmë mundësinë që hapësirat e papërdorura të marrin një funksion të ri dhe të shndërrohen në hapësira moderne dhe funksionale për fëmijët" - theksoi ministri Vellkovski.
Në kuadër të takimit të punës u prezantuan udhëzimet e përgjithshme për aplikim, kushtet dhe mundësitë që ofron Thirrja Publike, si dhe mënyra se si njësia projektuese do t’u ofrojë mbështetje komunave gjatë procesit të përgatitjes së aplikimeve.
Ministria mbetet e përkushtuar në avancimin e sistemit të shërbimeve sociale dhe në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët, përmes rritjes së qasjes dhe të cilësisë së shërbimeve të përkujdesjes dhe të edukimit në moshën parashkollore.
Me bashkëpunim të përbashkët me komunat, Ministria vazhdon të investojë në krijimin e kushteve më të mira për rritjen, për zhvillimin, si dhe për mirëqenien e më të rinjve.