Në kopshtin për fëmijë “8 Prilli” në Komunën e Shuto Orizarës sot u hapën gjashtë kënde të reja lojërash, me çka rriten kapacitetet e përkujdesjes dhe të edukimit parashkollor të fëmijëve në komunë.
Në hapje ishin pjesëmarrës kryetari i Qeverisë, prof. dr. Hristian Mickoski, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, ambasadorja e Mbretërisë së Norvegjisë, Sh.S. z.Kristin Melsom, si dhe ambasadori i Konfederatës Zvicerane, Sh.T. Kristof Sommer.
Me këto kënde të reja, krijohet hapësirë shtesë për lojë, mësim, shoqërim dhe zhvillim të fëmijëve, ndërsa njëkohësisht ofrohet mbështetje shtesë për prindërit dhe familjet. Me zgjerimin e kapaciteteve, në Komunën e Shuto Orizarës nuk do të ketë më listë pritjeje për regjistrim në kopshtet e fëmijëve, përkatësisht kapacitetet do të jenë tërësisht të përmbushura.
Ministri Vellkovski theksoi se hapja e këndeve të reja të lojërave në Shuto Orizarë është pjesë e aktiviteteve më të gjera për rritjen e kapaciteteve në përkujdesjen dhe edukimin parashkollor, me qëllim që çdo fëmije t’i sigurohen mundësi të barabarta për kujdes, edukim dhe zhvillim cilësor.
“Deri në fund të mandatit, në komunat e Qytetit të Shkupit do të ndërtohen 16 objekte të reja për përkujdesje dhe edukim parashkollor, me kapacitet për mbi 2.100 fëmijë. Paralelisht me krijimin e kapaciteteve të reja, investojmë edhe te njerëzit që çdo ditë kujdesen për më të vegjlit tanë. Deri më tash, janë siguruar mbi 1.000 punësime të reja dhe avancime në kopshtet për fëmijë” - theksoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski.
Hapja e gjashtë këndeve të reja të lojërave në kopshtin “8 Prilli” paraqet një hap konkret drejt rritjes së qasshmërisë së shërbimeve të përkujdesjes dhe të edukimit parashkollor, si dhe të përmirësimit të kushteve për fëmijët dhe për familjet e tyre.
Ministri Vellkovski shprehu mirënjohje ndaj Mbretërisë së Norvegjisë dhe Konfederatës Zvicerane për partneritetin dhe mbështetjen në realizimin e projekteve, të cilat sjellin përfitime konkrete për fëmijët dhe familjet.