Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, së bashku me kryetarin e Komunës së Ilindenit, Aleksandar Gjorgjievski, dhe deputeten Dragana Bojkovska, sot hapën këndet e reja të lojërave në IPKKF "Goce Dellçev" në Komunën e Ilindenit, të cilat nga nesër do të fillojnë me pranimin e fëmijëve.
Me këndet e reja të lojërave, kapaciteti i të cilave është për rreth 50 fëmijë, zgjerohen kapacitetet ekzistuese për përkujdesje dhe edukim të më të vegjëlve, e njëkohësisht krijohen kushte më të mira për qëndrimin dhe zhvillimin e tyre.
Ky është edhe një tjetër investim në avancimin e kushteve në kopshtin për fëmijë, pas hapjes së kuzhinës së re qendrore vetëm disa muaj më parë. Investimi në këndet e reja të lojërave është realizuar tërësisht nga Komuna e Ilindenit.
Në kuadër të aktiviteteve, është rregulluar dhe pajisur edhe një hapësirë multifunksionale, e dedikuar për stafin profesional, edukativ dhe përkujdesës, si dhe për punonjësit e tjerë të kopshtit. Hapësira do të mundësojë kushte më të mira për përgatitjen dhe realizimin e aktiviteteve të përditshme edukativo-arsimore, punën në projekte, si dhe përmirësimin e mirëqenies së punonjësve.
Gjatë vizitës u hap edhe zyra rajonale e Qendrës për Punë Sociale - Gazi Babë, me vendndodhje në ambientet e Komunës së Ilindenit. Zyra do t'u mundësojë banorëve të komunës qasje më të lehtë në shërbimet dhe mbështetjen në fushën e mbrojtjes sociale, pa pasur nevojë të udhëtojnë deri në selinë e Qendrës.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve vazhdon me aktivitete të orientuara drejt përmirësimit të sistemit të mbrojtjes sociale, zgjerimit të kapaciteteve për përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe krijimit të shërbimeve më cilësore dhe më të qasshme për qytetarët.