Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

U mbajt punëtoria e parë për zhvillimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët

U mbajt punëtoria e parë për zhvillimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët

Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, si Koordinator Kombëtar i Garancisë Evropiane për Fëmijët, sot e hapi dhe e udhëhoqi punëtorinë e parë për zhvillimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se varfëria e fëmijëve kërkon politika të integruara, ndërsa Garancia Evropiane për Fëmijët (GEF) ofron kornizë strategjike për përballimin e sfidave aktuale, krijoi Komitet Kombëtar të nivelit të lartë, si dhe grup të punës në nivel teknik mbi përpilimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët 2026–2030 (GEFPKV), dhe emëroi edhe Koordinator Kombëtar për GEF-in, i cili do ta udhëheqë këtë proces.
Në fjalimin e tij hyrës, Sabriu theksoi: “Si Qeveri, jemi plotësisht të vetëdijshëm se krijimi i Garancisë Evropiane për Fëmijët kërkon identifikimin e dobësive në sistem, mënjanimin e pengesave dhe përshtatjen e shërbimeve për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të fëmijëve më të cenueshëm dhe familjeve të tyre. Njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm se reformat duhet të jenë reale, të qëndrueshme dhe të harmonizuara me prioritetet dhe kapacitetet kombëtare. Kështu që, Plani Kombëtar i Veprimit duhet të fokusohet në masa konkrete dhe të realizueshme, që do të sjellin përmirësime të dukshme në jetën e fëmijëve. Ky proces është i lidhur ngushtë edhe me qëllimet tona më të gjera strategjike, përfshirë përforcimin e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, përmirësimin e qasjes në shërbime cilësore në sektorë të tjerë dhe përparimin në rrugën tonë drejt integrimit evropian” - nënvizoi Sabriu.
Ai shprehu mirënjohje ndaj UNICEF-it për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm, ndaj Bashkimit Evropian, si dhe ndaj të gjitha institucioneve dhe partnerëve që kontribuojnë në këtë proces.

Me mbështetjen e UNICEF-it, është realizuar analiza gjithëpërfshirëse me qëllim identifikimin më të suksesshëm të fëmijëve më të rrezikuar dhe barrierave strukturore që vazhdojnë të kufizojnë qasjen e barabartë në shërbime. Analiza përfshiu kategoritë më të cenueshme, ndër të cilat: fëmijët që jetojnë në varfëri, fëmijët romë, fëmijët me aftësi ndryshe, fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët në konflikt me ligjin, fëmijët që rriten në rrethana të ndërlikuara familjare dhe fëmijët nga zonat rurale.

Punëtoria e sotme ishte kyçe për harmonizimin e pritshmërive dhe për përcaktimin e hapave të ardhshëm, por njëkoherësh përfaqëson edhe fillimin e një faze më intensive të punës. Në periudhën në vijim, fokusi kryesor do të jetë në mbledhjen e propozimeve të palëve të interesuara.

Në punëtori u theksua sigurimi i përfshirjes së gjerë dhe thelbësore të institucioneve në nivel kombëtar dhe lokal, ofruesve të shërbimeve, sektorit civil, si dhe vetë komuniteteve dhe familjeve që preken drejtpërdrejt. Siç theksoi koordinatori Sabriu: “vetëm përmes qasjes gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar mund të sigurojmë një Plan Veprimi që është real, i zbatueshëm dhe që me të vërtetë u përgjigjet nevojave të fëmijëve më të cenueshëm”.

 

Accessibility Menu