Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Rinisë – 12 Gushtit”, mbrëmë u ndanë çmimet për pjesëmarrjen e të rinjve për vitin 2026, me të cilat u nderuan të rinjtë, organizatat rinore dhe individët që me aktivitetin, iniciativat dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë në ndryshime pozitive në komunitet.
Ngjarja u organizua nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në partneritet me Këshillin Rinor Nacional të Maqedonisë (KRNM), Misionin e OSBE-së në Shkup dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, theksoi se të rinjtë nuk duhet të shihen vetëm si e ardhmja e shoqërisë, por si pjesë e rëndësishme dhe aktive e saj sot.
“Kur i dëgjojmë të rinjtë, krijojmë politika më të mira. Kur i përfshijmë në proceset e vendimmarrjes, marrim vendime më cilësore. Ndërsa kur investojmë tek ata, investojmë në të ardhmen e gjithë shoqërisë” - tha ministri Vellkovski.
Ai theksoi se Ministria mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve në të cilat të rinjtë do të kenë hapësirë, besim dhe mundësi për të marrë pjesë aktive në shoqëri.
“Për ne, të rinjtë nuk janë vetëm përfitues të politikave – ata janë partnerët tanë në krijimin e tyre. Qëllimi ynë është që çdo i ri të ketë mundësi të mësojë, të zhvillohet, të punojë, të krijojë dhe ta ndërtojë të ardhmen e tij pikërisht këtu, në shtetin e vet” - shtoi Vellkovski.
Në kuadër të ngjarjes u ndanë çmime në disa kategori, me të cilat u vlerësuan forma të ndryshme të pjesëmarrjes dhe aktivizmit rinor.
Në kategorinë “Organizata rinore, organizata të të rinjve dhe organizata ombrellë rinore”, çmimi iu dha shoqatës “Të rinjtë nga diversiteti familjar”, për punën e tyre me të rinj nga prejardhje të ndryshme familjare, si dhe për kontributin në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse përmes mbështetjes psikosociale dhe juridike, ngritjes së ndërgjegjësimit publik dhe luftës kundër diskriminimit.
Në kategorinë “Grupe joformale të të rinjve”, çmimi iu dha “Pionierëve të Gjelbër” nga Manastiri (Bitola), të cilët përmes iniciativave “Eco Rose” dhe “Eco Via” punojnë në ripërdorimin dhe riciklimin e mbetjeve tekstile dhe mbetjeve të tjera. Gjatë viteve 2025 dhe 2026, aktivitetet e tyre kanë përfshirë më shumë se 450 të rinj.
Për herë të parë këtë vit u nda edhe çmimi për partnerët e të rinjve, në kategorinë “Zyrtarë për të rinjtë”, me të cilin vlerësohet roli i profesionistëve në institucione, të cilët krijojnë ura ndërlidhëse ndërmjet të rinjve dhe institucioneve dhe kontribuojnë që idetë e tyre të shndërrohen në politika dhe në aktivitete konkrete. Çmimi iu dha Vladimir Smilevskit, zyrtar për të rinjtë në Komunën e Velesit.
Fitues i çmimit për pjesëmarrjen e të rinjve për vitin 2026 në kategorinë individuale, e cila këtë vit i kushtohet të rinjve dhe sigurisë, është Andrej Rajatoski. Në këtë kategori vlerësohen të rinjtë që kontribuojnë në parandalimin e dhunës, ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve dhe krijimin e komuniteteve më të sigurta, më kohezive dhe më rezistente.
Nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë u theksua se, pavarësisht ekzistimit të një kuadri ligjor dhe mekanizmave për pjesëmarrjen e të rinjve, sfidë mbetet kalimi nga pjesëmarrja formale në pjesëmarrjen e vërtetë dhe thelbësore të të rinjve.
“Jo vetëm t’u themi të rinjve se i dëgjojmë, por kjo duhet të shihet në vendimet, politikat, mundësitë dhe buxhetet që krijojmë”, u shpreh Ivona Kuzmanovska, presidente e KRNM-së.
Suzan Penksa, zëvendësshefe e Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi se të rinjtë nuk janë vëzhgues pasivë, por “partnerë të pazëvendësueshëm në avancimin e paqes dhe sigurisë”, ndërsa institucionet kanë përgjegjësi të përbashkët për të krijuar mekanizma të hapur, të sigurt dhe gjithëpërfshirës për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre thelbësore.
Përmes projektit “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besueshmëri”, i mbështetur nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes, UNDP-ja punon me të rinjtë, me komunat dhe me institucionet në përforcimin e pjesëmarrjes së të rinjve, ndërsa zyrtarët rinorë i mbështet përmes trajnimeve, rrjetëzimit, si dhe shkëmbimit të përvojave.
“Në Ditën Ndërkombëtare të të Rinjve, ky çmim nuk është vetëm vlerësim për një individ të jashtëzakonshëm, por edhe për diçka shumë më të madhe. Ai nënvizon rëndësinë e investimit te të rinjtë dhe të ndërtimit të institucioneve që vërtet i dëgjojnë, i mbështesin dhe i inkurajojnë” - theksoi Ana Çernishova, Zëvendëspërfaqësuese e Përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet e përkushtuar për avancimin e pjesëmarrjes së të rinjve dhe krijimin e kushteve në të cilat të rinjtë do të jenë faktorë aktivë në proceset e krijimit të politikave dhe marrjes së vendimeve.
Të rinj të fortë do të thotë një shoqëri e fortë, gjithëpërfshirëse dhe me prosperitet.
Ministria u përcjell urime të gjithë fituesve dhe të nominuarve, si dhe falënderime të gjithë të rinjve që me dijen, energjinë, kohën dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë për komunitete më të mira dhe ndryshime pozitive në vendin tonë.