Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Ministri Limani në RinCamp 2026 në Shqipëri: Nuk duhet të presim për të ardhmen europiane – duhet ta krijojmë atë së bashku sot

Ministri Limani në RinCamp 2026 në Shqipëri: Nuk duhet të presim për të ardhmen europiane – duhet ta krijojmë atë së bashku sot

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, mori pjesë sot në eventin ndërkombëtar rinor RinCamp 2026, të mbajtur në Republikën e Shqipërisë, ku ishte si panelist në sesionin me titull “Integrimi Evropian në Praktikë: Sfidat dhe Perspektivat për të Rinjtë në Maqedoninë e Veriut”.

Në fjalimin e tij, Ministri Limani theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndajnë të njëjtin vizion: anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe krijimin e shoqërive ku të rinjtë do të kenë një arsye për të qëndruar, për të krijuar dhe për të pasur sukses.

“Integrimi evropian nuk është një dokument që duhet nënshkruar. Është një proces që e jetojmë çdo ditë përmes reformave, sundimit të ligjit, mundësive të barabarta dhe krijimit të kushteve më të mira të jetesës për çdo të ri”, tha Limani.

Ai theksoi se të rinjtë nuk duhet të jenë thjesht përfitues të politikave, por edhe krijues aktivë të tyre, duke vënë në dukje se Strategjia Kombëtare pë të Rinjtë 2023–2027 është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës që përfshinte në mënyrë aktive organizatat rinore, këshillat lokal të të rinjve, studentët, nxënësit e shkollave të mesme dhe profesionistët e rinj.

Ministri informoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve punon intensivisht për përforcimin e partneriteteve me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, Delegacionin e Bashkimit Evropian, komunitetin e donatorëve, sektorin civil dhe institucione të tjera, me qëllim krijimin e politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për të rinjtë në përputhje me standardet evropiane.

Duke iu drejtuar sfidave bashkëkohore me të cilat përballen të rinjtë, Limani theksoi se tregu i sotëm i punës kërkon kompetenca digjitale, mendim kritik dhe aftësi komunikimi dhe lidershipi. Për këtë qëllim, Ministria - në partneritet me organizatat ndërkombëtare dhe përmes programeve evropiane - mbështet shkollat verore, kurset e trajnimit dhe programet praktike që i përgatitin të rinjtë për nevojat bashkëkohore të tregut të punës.

Në fjalën e tij, ministri një theks të veçantë i dha mobilitetit si një nga vlerat themelore evropiane, si dhe te nevoja për të adresuar largimin e kapitalit njerëzor.
“Lëvizshmëria ofron një mundësi për të fituar njohuri dhe përvoja të reja, por është detyrimi ynë të krijojmë kushte ku të rinjtë mund ta parashikojnë të ardhmen e tyre pikërisht këtu në vendin e tyre. Kjo është arsyeja pse kjo çështje është integruar si në Strategjinë Kombëtare për të Rinjtë ashtu edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Demografisë” theksoi Limani.

Ai vuri në dukje se të rinjtë nga Maqedonia e Veriut marrin pjesë në mënyrë aktive në programet Erasmus+, European Solidarity Corps (ESC), RYCO, EU4Youth, si dhe në iniciativa të tjera evropiane që kontribuojnë në zhvillimin e njohurive, aftësive dhe partneriteteve të tyre ndërkombëtare.

Duke folur për bashkëpunimin rajonal, ministri theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhen parë si konkurrentë, por si partnerë që ndërtojnë së bashku një të ardhme evropiane.

“Kur një i ri nga Shkupi bisedon dhe bashkëpunon me një bashkëmoshatar nga Tirana, Prishtina, Podgorica apo Sarajeva, krijohen miqësi, ide dhe partneritete që me kalimin e kohës do të shndërrohen në kompani të përbashkëta, projekte shkencore, iniciativa kulturore dhe suksese evropiane” tha Limani.

Gjatë diskutimit në panel, ministri theksoi se mundësia për një jetë dinjitoze, punësim të qëndrueshëm, strehim dhe formim të familjes përbën parakusht kyç që të rinjtë të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Maqedoninë e Veriut.

Në fund të fjalës së tij, Limani përcolli mesazhin se integrimi evropian nuk duhet parë thjesht si një proces i përafrimit me legjislacionin evropian, por më tepër si një mundësi për të ndërtuar institucione më cilësore, një ekonomi më konkurruese dhe një shoqëri që ofron mundësi të barabarta për të gjithë të rinjtë.

“Shpesh themi se të rinjtë janë e ardhmja. Besoj se kjo nuk mjafton. Të rinjtë janë edhe e tashmja. Nëse nuk i përfshijmë në vendimmarrje sot, nesër do të jetë tepër vonë për të pritur që ata të marrin përsipër përgjegjësinë për shoqëritë tona. Të mos presim për të ardhmen evropiane. Le ta krijojmë atë së bashku – sot!” – tha ministri Limani.
 

Accessibility Menu