Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në partneritet me Fondin e Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA), më 7 dhe 8 maj 2026 në Shkup, organizon një Konferencë Rajonale Ministrore–“Udhëheqja e Ndryshimeve: Rrugët drejt Rezistencës Demografike në Përputhje me Nevojat e Njerëzve”.
Në vazhdim është fjalimi i plotë i Ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani:
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar ambasadorë,
Përfaqësues të UNFPA-së (Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë),
Të nderuar ministra, ekspertë dhe partnerë,
Mirë se vini në Shkup në Konferencën e Dytë Rajonale Ministrore për Rezistencën Demografike. Është nder për mua që sot jemi mbledhur me qëllim të përbashkët: të diskutojmë për të ardhmen e shoqërive tona.
Më lejoni fillimisht të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen e fuqishme të Kryeministri të Qeverisë, z. Mickoski, i cili e ka vendosur demografinë lart në agjendën politike – si prioritet strategjik të kësaj Qeverie. Ky nuk është vetëm një vendim politik, por vendim për të ardhmen e shtetit tonë.
Falënderoj partnerët tanë, Kombet e Bashkuara (OKB) dhe UNFPA-në, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkushtimin për të krijuar së bashku zgjidhje të qëndrueshme për rezistencën demografike.
Shpreh falënderimet e mia të sinqerta për të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare që pranuan ftesën për të qenë pjesë e kësaj platforme të rëndësishme për dialog dhe bashkëpunim.
Të nderuar,
Maqedonia e Veriut, rajoni dhe një pjesë e madhe e Evropës, veçanërisht Evropa Lindore, po përballen me sfida serioze demografike — fertilitet i ulët, migrim (veçanërisht i kuadrove të kualifikuara) dhe plakje e përshpejtuar e popullsisë.
Në disa vende, popullsia është zvogëluar me një të tretën që nga vitet e 90-ta, me pasoja të drejtpërdrejta në tregun e punës, sistemet shëndetësore dhe pensionale, si dhe në konkurrueshmërinë ekonomike.
Në të njëjtën kohë, kontrastet në hapësirën euro-aziatike po bëhen gjithnjë e më të theksuara. Ndërkohë që Evropa përballet me mungesë të fuqisë punëtore për shkak të plakjes, Azia Qendrore ka sfidën tjetër — se si të shfrytëzojë popullsinë e re me rritje të shpejtë, e cila në 25 vitet e ardhshme do të rritet për rreth 21 milionë njerëz të aftë për punë.
Këto realitete të ndryshme kërkojnë politika afatgjata, të guximshme dhe të orientuara drejt njerëzve — të bazuara në dëshmi, në të drejtat e njeriut dhe në bashkëpunimin rajonal. Detyra jonë është të ndryshojmë narrativën: nga ankthi demografik drejt rezistencës demografike.
Koncepti i rezistencës demografike po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Ai nënkupton aftësinë e shoqërive për të njohur, përshtatur dhe menaxhuar ndryshimet demografike, përmes politikave që vendosin njerëzit dhe të drejtat e tyre në qendër.
Duke pasur parasysh se zhvillimi i politikave gjithëpërfshirëse demografike është prioriteti ynë strategjik, vizioni ynë synon ndërtimin e një shoqërie që investon në kapitalin njerëzor.
Jemi të përkushtuar në mbështetjen e familjeve, avancimin e mbrojtjes së fëmijëve, zhvillimin e shërbimeve sociale dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë.
Emigrimi, veçanërisht i të rinjve, është një sfidë kyçe demografike, prandaj politikat e migrimit dhe të kthimit janë pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë. Programi i Qeverisë 2024–2028 i vendos të rinjtë në fokus përmes arsimit, zhvillimit të shkathtësive, pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe mbështetjes së sipërmarrjes dhe inovacioneve.
Me mbështetjen e UNFPA-së, po finalizojmë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Rezistencë Demografike, e harmonizuar me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2023–2042 dhe Kornizën e Bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara 2026–2030.
Aktualisht zhvillohen konsultime publike me të gjithë aktorët relevantë, pas së cilave strategjia do të dorëzohet për miratim në Qeveri dhe në Kuvend.
Strategjia ofron qasje multisektoriale ndaj të ardhmes demografike, me fokus në investimin në kapitalin njerëzor, forcimin e familjeve dhe të rinjve, përfshirjen sociale dhe politikat për migrimin cirkular, lëvizshmërinë dhe rolin e diasporës në ndërtimin e një rezistence afatgjatë demografike.
Paralelisht, punohet edhe ligj i ri sistemik për menaxhimin e migrimit dhe riintegrimin e të kthyerve, si dhe për modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve, me qëllim që qytetarët tanë, pavarësisht nëse jetojnë në vend ose jashtë saj, të kenë qasje më të lehtë në të drejtat dhe shërbimet e tyre.
Të nderuar,
Sot flasim për një sfidë globale me të cilën po përballemi të gjithë. Prandaj, dërgojmë thirrje të qartë dhe konkrete – për partneritete të forta, për politika të harmonizuara e të përbashkëta dhe për vizion të guximshëm afatgjatë.
Sfidat demografike nuk njohin kufij dhe nuk mund të zgjidhen në mënyrë të izoluar.
Na duhet aksion i përbashkët, shkëmbim i njohurive dhe zgjidhje të koordinuara që do të lidhin rajonet dhe do të krijojnë mundësi të qëndrueshme për të gjitha gjeneratat.
Vetëm përmes bashkëpunimit të vërtetë sot, mund të ndërtojmë shoqëri të qëndrueshme, rezistente dhe klorisante nesër.
Ju faleminderit !