Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u mbajt Forumi me të kthyerit nga jashtë vendit, nën organizim të Qeverisë dhe të Agjencisë së Emigracionit, me ç’rast mbajti fjalim Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani.
Në fjalimin e tij, Ministri Limani theksoi se eventi ka dimension thellësisht personal për të, pasi ai vetë ka kaluar një pjesë të jetës së tij si azilkërkues në Zvicër. Ai tha se përvoja e largimit, e pasigurisë dhe e përshtatjes është e përbashkët për shumë të kthyer, por se vendimi për t'u kthyer është akt guximi dhe besimi në atdhe.
“Të kthyerit nuk janë barrë - ata janë potencial. Çdo i kthyer sjell me vete njohuri, shprehi pune, aftësi të reja dhe perspektivë të ndryshme. Detyra jonë si institucione është të krijojmë sistem, i cili do ta njohë dhe do ta shfrytëzojë atë kapital” – shtoi mes tjerash, Limani.
Ministri nënvizoi se procesi i kthimit nuk mbaron në kufi, por fillon aty, përmes ofrimit të kushteve të punësimit, të sigurimeve sociale, të qasjes në shërbime, të arsimimit të fëmijëve dhe ndjesi se shteti qëndron pas qytetarëve të tij.
Ai informoi se politikat e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve synojnë mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve, njohjen e njohurive të fituara jashtë vendit, krijimin e perspektivave për të rinjtë në vend , si dhe ndërtimin e shoqërisë, në të cilën largimi nuk do të jetë domosdoshmëri, por zgjedhje.
“Historia ime personale është provë se kthimi ka kuptim. Ky vend ka nevojë për ju dhe për njohuritë, përvojën dhe energjinë tuaj”, tha Ministri Limani, duke shprehur mirënjohje për të gjithë të kthyerit mbi guximin dhe besimin e tyre.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve po punon në mënyrë të përkushtuar dhe të koordinuar së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, me Kryeministrin dhe me Koordinatorin Kombëtar të Demografisë, të Rinjve dhe Resurseve Njerëzore në Qeveri, z. Vlladimir Gjorçevin, me qëllim të qartë strategjik – përforcimin e qëndrueshmërisë demografike dhe thellimin e bashkëpunimit me diasporën.
Si rezultat i kësaj pune të përbashkët dhe të koordinuar, dy dokumente strategjike kyçe janë në fazën përfundimtare - Strategjia për Rezistencën Demografike dhe Strategjia për Bashkëpunim me Diasporën, me të cilat hapet dialogu institucional dhe i vazhdueshëm mbi nevojat reale të diasporës, si dhe për qytetarët tanë që duam të kthehen dhe t'u mundësojmë integrim më të lehtë dhe më të shpejtë në vendin e tyre amë (të origjinës).
Në përgatitje e sipër është Ligji i ri sistemik i Menaxhimit të Migracionit dhe Riintegrimit e të të Kthyerve nga Diaspora, i cili do ta formalizojë rrjedhën e migrimit, do t’i përcaktojë mundësitë dhe përfitimet për integrimin e të kthyerve dhe do të shoqërohet me program të posaçëm riintegrimi, me përfitime specifike për përfaqësuesit e diasporës, të cilët vendosin të kthehen në vendin e tyre amë, sipas kushteve të përcaktuara qartë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Në Forum morën pjesë edhe Kryeministri, prof. dr. Hristian Mickoski, funksionarë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve, si dhe shumë të kthyer nga Evropa, SHBA-ja dhe Australia, të cilët i ndanë historitë dhe përvojat e tyre personale të procesit të kthimit dhe të riintegrimit në vend.