Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, mori pjesë sot në konferencën “Transformimi i sistemeve të kujdesit në Maqedoninë e Veriut përmes qasjes gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme gjinore”, si pjesë e projektit të UN Women-it “Transformimi i sistemeve të kujdesit për njerëzit dhe planetin”, me mbështetje financiare të Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme, Komonvellti dhe Zhvillimi (FCDO).
Në ngjarje morën pjesë edhe Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe Punës, Daniel Fajller, Ushtrues Detyre në Ambasadën Britanike në Shkup, Vesna Ivanoviq-Kastared, Udhëheqëse e zyrës së UN Women-it në Shkup, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe të organeve publike, të universiteteve dhe ekspertë të fushës së drejtësisë, të ekonomisë dhe të politikës sociale, organizata qytetare, sindikata dhe organizata të punëdhënësve, komuniteti diplomatik dhe partnerë ndërkombëtarë.
Në fjalimin e tij para publikut, ministri Limani theksoi se Maqedonia e Veriut po bën kthesë të rëndësishme strategjike përmes investimit në ekonominë e kujdesit.
“Po investojmë në shërbime të ndihmës dhe përkujdesjes në shtëpi, asistencë personale, shërbime sociale në komunitet dhe edukim parashkollor. Këto politika kanë efekt të dyfishtë – krijojnë vende të reja pune dhe njëkohësisht u mundësojnë grave pjesëmarrje më të madhe dhe më aktive në tregun e punës. Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj vizionit për një shoqëri që kujdeset për njerëzit, sepse vetëm një shoqëri që investon në kujdes, mund të ndërtojë të ardhme të qëndrueshme, të drejtë dhe prosperuese” - theksoi Limani.
Konferenca kishte për qëllim nxitjen e dialogut gjithëpërfshirës të bazuar në fakte për ekonominë e kujdesit, transformimin e sistemeve të kujdesit dhe fuqizimin ekonomik të grave, me fokus në identifikimin e prioriteteve konkrete, drejtimeve të politikave dhe mënyrave të financimit për një sistem kujdesi gjithëpërfshirës dhe të përgjegjshëm gjinor në Maqedoninë e Veriut.
Tutje, synohej përshtatja e praktikave më të mira evropiane dhe ndërkombëtare në sistemin më të fuqishëm të kujdesit në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë Strategjinë Evropiane të Kujdesit dhe përvojat nga Forumi i Kujdesit për Evropën dhe Azinë Qendrore, si dhe përforcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet të gjithë akterëve relevantë në avancimin e obligimeve të përbashkëta dhe përcaktimin e udhërrëfyesit të përbashkët për reforma të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të sistemeve të kujdesit në Maqedoninë e Veriut.
“Investimi në kujdes është investim në njerëzit, në familjet dhe në të ardhmen e shtetit. Me çdo kopsht të ri për fëmijë, me çdo përkëdhelës të licencuar dhe me çdo shërbim të ri në komunitet, ndërtojmë shoqëri, në të cilën gratë nuk do të duhet të zgjedhin mes familjes dhe karrierës, por do të kenë mundësi të barabarta që të kontribuojnë dhe të përparojnë” -përfundoi Limani.