Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, mbajti sot një fjalim në eventin promovues të OSBE-së “Nga të dhënat drejt dialogut dhe veprimit”, në të cilin u prezantuan rezultatet e hulumtimit mbi incidentet onlajn dhe offlajn të dhunës ndaj grave dhe vajzave të reja në jetën publike.
Në fjalimin e tij, Ministri Limani theksoi se dhuna ndaj grave dhe vajzave është njëra ndër shkeljet më të përhapura dhe më serioze të të drejtave të njeriut, e cila shhpeshherë mbetet e fshehur, e paraportuar dhe e heshtur. Ai nënvizoi se është veçanërisht shqetësuese dhuna në hapësirat publike dhe në internet, ku fyerjet, ngacmimet, kërcënimet dhe ngacmimet seksuale lënë pasoja të thella dhe afatgjata te gratë dhe te vajzat e reja
“Asnjë grua dhe asnjë vajzë nuk duhet të jetojë me frikë ose të dorëzohet nga ëndrrat e saj për shkak të dhunës. Dhuna nuk është çështje private, është problem shoqëror dhe përgjegjësi e përbashkët” - tha Ministri Limani.
Ai rikujtoi se shteti veçmë ka ndërmarrë hap të rëndësishëm me miratimin e Ligjit të Parandalimit dhe Mbrojtjes nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, por potencoi se ligjet në vetvete nuk janë të mjaftueshme pa zbatimin e tyre të vazhdueshëm dhe human. Rol kyç, siç shtoi ai, luajnë të gjithë profesionistët në sistem - policia, punonjësit socialë dhe shëndetësorë, prokurorët dhe gjyqtarët - të cilët duhet të veprojnë me empati, me njohuri dhe me urgjencë.
Ministri theksoi se heshtja nuk është opsion dhe se çdo raportim për dhunë duhet të trajtohet si përparësi, me vëmendje të duhur dhe me reagim të koordinuar institucional.
Me hapjen e eventit, Ambasadori Kilian Vall, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi rëndësinë e shndërrimit të hulumtimit në ndikim të qëndrueshëm.
“Kur ndodh dhunë, heshtja nuk është opsion. Të gjithë kemi përgjegjësinë të reagojmë dhe të raportojmë. Raportimet e dhunës duhet të jenë përparësi dhe institucionet detyrohen të veprojnë me kujdesin e duhur” – theksoi Ambasadori Vall.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve po punon aktualisht për përgatitjen e Strategjisë së re për Trajtimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje 2026–2033, si dhe të një Planit të Veprimit 2025–2029, të cilët do të ofrojnë përgjigje sistematike, të koordinuar dhe afatgjate të kësaj çështjeje.
Hulumtimi thekson se një pjesë e konsiderueshme e grave të reja ndihen të pasigurta në vendet publike për shkak të gjinisë së tyre, me cenueshmëri të përcaktuar nga faktorët socioekonomikë, arsimi dhe vendi i banimit. Kjo, po ashtu, përdëfton shkallën e ulët të raportimit dhe të nevojës për koordinim, qasshmëri dhe besueshmëri të përmirësuar ndaj përgjigjeve të institucioneve.