Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, mori pjesë në Rishikimin Vjetor për vitin 2025 dhe Takimin Planifikues për vitet 2026-2027, të aktiviteteve të programit të Kombeve të Bashkuara/UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut.
Në shtatorin e 2025-ës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe OKB-ja nënshkruan Kornizën e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara 2026-2030, ndërkaq, Bordi Ekzekutiv i UNICEF-it miratoi Programin e UNICEF-it për Maqedoninë e Veriut 2026-2030.
Sekretari Shtetëror, Sabriu, iu referua arritjeve kryesore të shtetit në fushat, të cilat janë kompetencë e Ministrisë. Ai theksoi se, Ministria, në partneritet me UNICEF-in dhe me institucionet kompetente, gjatë vitit 2025, ka zbatuar reforma të rëndësishme të orientuara drejt promovimit të të drejtave dhe të mirëqenies së fëmijëve.
Ai theksoi se u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit për Ndërhyrje në Fëmijërinë e Hershme (NFH) me Ministritë e Shëndetësisë dhe të Arsimit dhe Shkencës, me ç’rast u krijua qasje e koordinuar dhe shumësektoriale në mbështetje të fëmijëve më të vegjël dhe të familjeve të tyre. Si dhe, fillimi i pilot-programit për ndërhyrje të hershme në Shkup, i cili tashmë ka përfshirë 23 fëmijë me familjet e tyre.
Sabriu foli për përparimin e standardeve të mbrojtjes së fëmijëve në kujdes alternativ përmes politikave, të protokolleve dhe të udhëzimeve praktike të reja. Është realizuar analiza gjithëpërfshirëse e shërbimit social, si dhe janë trajnuar 20 trajnerë akademikë dhe praktikë për përforcim të kompetencave të tyre në komunikimin me familjet e cenueshme.
“Në sistemin e kujdesit, 50% e profesionistëve kanë fituar njohuri të specializuara për mbështetje të familjeve kujdestare. 50 fëmijë janë përfshirë si përfaqësues të të rinjve kundër dhunës onlajn, ndërkaq janë zhvilluar edhe vegla për një mjedis digjital të sigurt. Është miratuar Plani Kombëtar Akcional për të Drejtat e Fëmijëve 2025–2029 miratuar dhe janë prezantuar rekomandime për vendosjen e Garancisë Evropiane për Fëmijë, me paketë shërbimesh për më të cenueshmit. Janë përgatitur ndryshime ligjore mbi përparimin e vlerësimeve të aftësisë ndryshe, si dhe analiza për financim inovativ dhe zgjerim të arsimit dhe kujdesit të hershëm të fëmijërisë” – shtoi mes tjerash, Sabriu.
Ai foli për procese të shumta që janë në fazat përfundimtare – legjislacioni i ri familjar, rregullimi i ndërhyrjes së hershme të përqendruar te familja, vlerësimi i ndikimit të vlerësimeve funksionale ndaj familjeve, si dhe analiza e disponueshmërisë së shërbimeve për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi ndryshe.
Gjatë viteve në vijim, theksoi Sabriu, fokusi do të vendoset në zhvillimin e Planit Kombëtar Akcioanl për Garancinë Evropiane për Fëmijë, në përforcimin e shërbimeve sociale, në vendosjen në nivel kombëtar të kurrikulave të reja të të nxënit të hershëm, si dhe në sigurimin e kushteve financiare për vendosjen e përfitimit universal të fëmijëve.
Në fund të fjalimit të tij, në emër të Ministrisë, shprehu mirënjohje për të gjithë partnerët mbi përkushtimin e tyre, me porosinë se puna e përbashkët vazhdon me të njëjtin intensitet në dobi të secilit fëmijë në Maqedoninë e Veriut.