Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, mbajti sot një fjalim në eventin me rastin e ndarjes zyrtare të certifikatave për përfundimin me sukses të Akademisë së Zhvillimit të Kapaciteteve, të realizuar me mbështetjen e Fondacionit për Demokraci “Vestminster” dhe të Ambasadës Britanike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në fjalimin e tij, Sekretari Shtetëror tha se ky event është më shumë se një akt formal dhe është dëshmi e fuqishme se vizioni, përkushtimi dhe partneritetet e vërteta sjellin rezultate konkrete dhe të qëndrueshme. Ai shprehu mirënjohje të sinqertë ndaj Ambasadës Britanike dhe të Fondacionit për Demokraci “Vestminster” për mbështetjen e tyre strategjike, thelbësore dhe vizionare për Sektorin e të Rinjve dhe për Qendrën e Hulumtimit në kuadër të Ministrisë.
Sabriu theksoi se nëpërmjet Akademisë janë përforcuar kapacitetet e punonjësve në Sektorin e të Rinjve në fushën e krijimit të politikave, të programeve dhe të projekteve publike bazuar në nevojat reale të të rinjve. Procesi, siç u theksua, ishte bazik dhe u zhvillua si në nivel individual ashtu edhe në atë ekipor, me qëllim të qartë - ndërtimin e fuqisë institucionale që di të dëgjojë, të analizojë dhe të veprojë në interes të të rinjve.
“Njohuritë dhe shkathtësitë e fituara përmes Akademisë nuk janë qëllim përfundimtar, por mjet për politika më të mira, për shërbime më të mira dhe për një të ardhme më të mirë të të rinjve të vendit tonë” - theksoi Sabriu.
Në fjalimin e tij, Sekretari Shtetëror potencoi se bashkëpunimi me Ambasadën Britanike dhe me Fondacionin “Vestminster” bazohet në besueshmëri, në vlera të përbashkëta dhe në angazhim të qartë për zhvillimin demokratik dhe të politikave gjithëpërfshirëse rinore, ndërkaq, Akademia, përfaqëson edhe një tjetër dëshmi të këtij partneriteti.
Duke iu drejtuar të rinjve, Sekretari Shtetëror i inkurajoi të jenë aktivë, të zëshëm dhe të përfshirë në proceset e krijimit të politikave, duke theksuar se energjia, kreativiteti dhe mendimi kritik i tyre janë çelësi i ndryshimeve shoqërore.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, siç u theksua, mbetet e përkushtuar ndaj investimeve të vazhdueshme në njerëz, ndaj dijes dhe ndaj partneriteteve që sjellin ndryshime reale dhe afatgjata, me qëllim ndërtimin e institucioneve të fuqishme dhe të ardhmes më të mirë për të rinjtë.
Së fundmi, Sekretari Shtetëror i përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit dhe trajnerët për realizimin me sukses të Akademisë.