Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Limani: Parandalimi i dhunës te të rinjtë është përgjegjësi e përbashkët dhe prandaj përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, e koordinuar dhe vendimtare

Limani: Parandalimi i dhunës te të rinjtë është përgjegjësi e përbashkët dhe prandaj përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, e koordinuar dhe vendimtare

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, sot mori pjesë në promovimin e projektit kombëtar për përballimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve, të nxitur nga dhuna në familje dhe neglizhenca prindërore përmes sistemit arsimor, nën organizim të Ministrisë së  Arsimit dhe Shkencës.

Në fjalimin e tij, ministri Limani e përshëndeti iniciativën dhe theksoi se ajo përfaqëson vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta të institucioneve për parandalimin e dhunës te të rinjtë, pasi dy ditë më parë ishte nënshkruar Deklarata e Qëllimeve për Parandalimin e Dhunës te të Rinjtë.

“Dhuna nuk është sfidë e një institucioni, kështu që, përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, e koordinuar dhe vendimtare. Lufta kundër dhunës nuk përfundon me nënshkrimin e dokumenteve, por vazhdon me aktivitete konkrete, edukim, ngritje të vetëdijes dhe krijim të mekanizmave për parandalim në kohë” - theksoi Limani.

Ai theksoi se dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve shpesh është pasojë e problemeve më të thella si marrëdhënie të çrregulluara familjare, ekspozim ndaj dhunës në familje, mungesë e mbështetjes emocionale, modele të papërshtatshme sjelljeje dhe ndikime negative nga hapësira digjitale.

Sipas ministrit, institucionet duhet të veprojnë në mënyrë parandaluese që në familje, kopshte, shkolla, komunitete lokale dhe në mjedisin digjital, me qëllim që te fëmijët dhe të rinjtë të zhvillohen aftësi për komunikim me respekt, njohje të emocioneve, zgjidhje jo të dhunshme të konflikteve dhe kërkim të ndihmës në kohë.

Limani theksoi gjithashtu rolin kyç të psikologëve dhe të shërbimeve profesionale në identifikimin e rreziqeve dhe në ofrimin e mbështetjes për fëmijët dhe të rinjtë.
Ai rikujtoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve po udhëheq procesin e krijimit të Grupit Nacional të Punës për parandalimin e dhunës tek të rinjtë – mekanizmi i parë kombëtar që në mënyrë sistemike dhe gjithëpërfshirëse merret ekskluzivisht me këtë çështje.

“Grupi i Punës i bashkon institucionet, sistemin arsimor, strukturat e sigurisë, organizatat sportive, shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe vetë të rinjtë, sepse vetëm përmes aleancës së gjerë shoqërore mund të krijojmë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata” – tha, Ministri.

Projekti kombëtar, të cilin do ta koordinojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka për qëllim të krijojë mekanizëm sistemik dhe të qëndrueshëm për identifikimin e hershëm, parandalimin dhe veprimin e duhur në rastet e dhunës në familje ndaj fëmijëve dhe neglizhimit të tyre. Projekti parashikon hulumtim të nevojave në shkolla, trajnime për psikologë dhe bashkëpunëtorë profesionalë, zhvillim të protokolleve të unifikuara për veprim, panele edukative me prindër dhe mësimdhënës, si dhe konferencë kombëtare për prezantimin e rezultateve dhe të rekomandimeve.

Në realizimin e tij do të përfshihen disa institucione dhe aktorë nga sektori arsimor, social, i sigurisë dhe shëndetësor, me qëllim përforcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe krijimin e sistemit funksional për mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve.

“Vizioni ynë është i qartë – shkolla pa frikë, familje ku kultivohet respekti dhe mirëkuptimi, mjedis digjital i sigurt dhe shoqëri ku dhuna nuk ka vend. Parandalimi i dhunës te të rinjtë është përgjegjësia jonë e përbashkët” – porositi, ministri Limani.

Accessibility Menu