Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, sot mori pjesë dhe u drejtua në hapjen solemne të Modelit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara në Shkup – SIMUN 2026, konferencë ndërkombëtare rinore që nga15 deri më 17 qershor zhvillohet në Shkup, në organizim të Shoqatës Maqedonase të Kombeve të Bashkuara.
Konferenca bashkoi më shumë se 70 të rinj pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni, të cilët gjatë programit treditor, përmes simulimeve të punës së organeve të Kombeve të Bashkuara, do të debatojnë për sfida aktuale globale, të ndërlidhura me paqen dhe sigurinë, me zhvillimin dhe shëndetin mendor të të rinjve.
Në fjalimin e tij, Sekretari Shtetëror, Sabriu, theksoi se të rinjtë nuk duhet të shihen si vëzhgues pasivë të proceseve shoqërore, por si bartës aktivë të ndryshimeve dhe partnerë në krijimin e së ardhmes.
“Për një kohë të gjatë, çështjet rinore janë trajtuar si një punë dytësore — si ndonjë fusnotë e vogël në ministri më të mëdha. Por, ky vend zgjodhi rrugë tjetër. Me themelimin e Ministrisë së veçantë të Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, shteti përçoi mesazh të fuqishëm dhe të qartë në botë. Ai ka bërë të ditur se të rinjtë nuk janë vetëm statistikë demografike që duhet menaxhuar. Ju jeni forcë mbi të cilën duhet të llogaritet. Ju jeni prioritet. Nuk mund të ndërtojmë ekonomi të qëndrueshme, shoqëri të drejtë dhe politikë të suksesshme demografike nëse të rinjtë nuk kanë vendin e tyre atje ku merren vendimet”, u shpreh Sabriu.
Ai theksoi se SIMUN-i përfaqëson shembull se si të rinjtë, përmes dialogut, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve, mund të kontribuojnë në ndërtimin e shoqërisë më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse.
“Mos lejoni askënd të minimizojë potencialin tuaj për shkak të moshës. Idealizmi juaj nuk është dobësi – ai është pasuria juaj më e madhe. Flisni me guxim, dëgjoni me përulësi dhe besoni se idetë dhe veprimet tuaja kanë fuqinë të ndryshojnë botën”, theksoi Sekretari Shtetëror.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet e përkushtuar në krijimin e politikave, të cilat I përfshijnë të rinjtë si partnerë të barabartë, përmes mbështetjes së pjesëmarrjes rinore, zhvillimit të kapaciteteve udhëheqëse, si dhe nxitjes së qytetarisë aktive.
SIMUN 2026 përfaqëson platformë të rëndësishme për të rinjtë nga vendi dhe rajoni që t’i zhvillojnë njohuritë e tyre mbi diplomacinë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat globale, duke nxitur vlerat e bashkëpunimit, të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe të paqes.