Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje

Ç’ËSHTË DHUNA?
DHUNA NDAJ GRAVE është shkelje e të drejtave të njeriut, diskriminim ndaj grave dhe u referohet të gjitha veprimeve të dhunës me bazë gjinore që rezultojnë, ose ka të ngjarë të rezultojnë në dëmtim ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike të grave, duke përfshirë kërcënimet dhe frikësimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta për veprime të tilla, zhvatjen, kufizimin e paarsyeshëm dhe/ose heqjen e lirisë, pavarësisht nëse ndodhin në jetën publike apo private.

DHUNA ME BAZË GJINORE NDAJ GRUAS është dhunë e drejtuar kundër gruas sepse është grua ose e godet në mënyrë disproporcionale. Dhuna me bazë gjinore ndaj grave i përfshin shkaqet dhe rezultatin e marrëdhënies së pabarabartë të pushtetit ndërmjet grave dhe burrave si rezultat i problemit shoqëror, dhe jo i atij individual.
DHUNA NË FAMILJE është ngacmim, fyerje, kërcënim ndaj sigurisë, dëmtim trupor, dhunë gjinore ose dhunë tjetër psikologjike, fizike ose ekonomike, me të cilën shkaktohet ndjenjë e pasigurisë, e rrezikimit ose e frikës, duke përfshirë kërcënimet për veprime të tilla, ndaj bashkëshortit/es, prindërve ose fëmijëve ose personave të tjerë që jetojnë në bashkësi martesore ose jashtëmartesore ose në amvisëri të përbashkët, si dhe ndaj bashkëshortit/es aktual ose ish-bashkëshortit/es ose partnerit/es jashtëmartesor ose personave që kanë fëmijë të përbashkët ose janë në marrëdhënie të ngushtë personale, pavarësisht nëse kryerësi ndan ose ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën apo jo.

DHUNA NGA PARTNERI INTIM është sjellje e bashkëshortit/partnerit aktual ose të mëparshëm që shkakton dhunë fizike, seksuale, psikike ose ekonomike.

 

LLOJET E DHUNËS

DHUNA FIZIKE është çdo veprim i zbatimit të forcës fizike ose veprim, me të cilin cenohet shëndeti dhe integriteti fizik e psikologjik i viktimës.

DHUNA PSIKIKE është çdo sjellje që përdor detyrimin, frikësim ose kërcënim, e cila shkakton ndjenjën e frikës,  të rrezikimit, të ankthi ose të cenimit të dinjitetit dhe të integritetit psikik të viktimës;


NDJEKJA është çdo sjellje e qëllimshme e kërcënimit të përsëritur drejtuar një personi tjetër, e cila shkakton që personi të frikësohet për sigurinë e tij.
DHUNA EKONOMIKE është çdo veprim i kufizimit ose i parandalimit në realizimin dhe/ose disponimin me të ardhurat personale dhe me mjetet financiare, për mirëmbajtjen e amvisërisë së përbashkët dhe për kujdesin e fëmijës, me çka shkaktohet varësi ekonomike e viktimës;

DHUNA SEKSUALE DHE PËRDHUNIMI është çdo veprim i natyrës seksuale, me çdo pjesë të trupit ose objekt, në trupin e një personi tjetër pa pëlqimin e tij/saj. Dhuna seksuale ekziston gjithashtu kur një person tjetër nxitet ose detyrohet të përfshihet në veprime të natyrës seksuale me një person të tretë pa pëlqimin e tij/saj. Pëlqimi duhet të shprehet vullnetarisht si rezultat i vullnetit të lirë të personit, i vlerësuar në kontekstin e rrethanave;

NGACMIMI SEKSUAL është çdo sjellje verbale, joverbale ose fizike e natyrës seksuale që ka për qëllim ose pasojë cenimin e dinjitetit të personit, veçanërisht kur krijon mjedis kërcënues, armiqësor, degradues, poshtërues ose ofendues;
NGACMIMI SEKSUAL PËRMES INTERNETIT është çdo veprim verbal, joverbal ose çdo veprim tjetër i natyrës seksuale, që ka për qëllim ose pasojë cenimin e dinjitetit ose krijimin e një mjedisi, qasjeje ose praktike kërcënuese, armiqësore, poshtëruese ose frikësuese, përmes mjeteve elektronike të komunikimit;
MARTESA E DETYRUAR nënkupton detyrimin, joshjen, mashtrimin, kërcënimin ose detyrimin ndryshe të një të rrituri ose fëmije për të lidhur martesë ose bashkësi jashtëmartesore;

GJYMTIMI GJENITAL I FEMRËS është prerja, infibulimi ose çdo gjymtim tjetër në tërësi ose pjesërisht i buzëve të mëdha (labia majora), i buzëve të vogla (labia minora) ose i klitorisit të femrës;

ABORTI I DETYRUAR DHE STERILIZIMI I DETYRUAR është ndërprerja e shtatzënisë së një gruaje pa informimin paraprak dhe miratimin me shkrim, si dhe kryerja e operacionit të një femre pa informimin paraprak dhe miratimin me shkrim, përkatësisht, të kuptuarit e procedurës qëllimi ose pasoja e së cilës është të ndërpresë aftësinë e saj për riprodhim natyral;

 

Accessibility Menu