20.06.2022

Trençevska: Ne krijojmë politika dhe vendosim rregullore për kundërshtim më të suksesshëm të dhunës ndaj grave dhe vajzave, përfshirë dhunën kibernetike

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska sot mori pjesë në forumin rajonal "Virtualja është reale: Forcimi i kornizës legjislative për mbështetjen e autonomisë fizike", organizuar nga Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara - UNFPA.

Në ngjarje, folësit nga rajoni diskutuan situatën aktuale me dhunën kibernetike në vendet e tyre dhe kuadrin ligjor përkatës. Forumi synon të forcojë partneritetet rajonale duke zhvilluar masa ligjore të qëndrueshme dhe efektive dhe duke rritur ndërgjegjësimin për luftën kundër dhunës digjitale dhe dhunës me bazë gjinore në përgjithësi.

Ministrja shprehu kënaqësinë për mundësinë për të diskutuar çështje të rëndësishme si dhuna në internet ndaj grave dhe vajzave, si dhe shprehu mbështetjen për fushatën “Bodyright”, e cila është një thirrje globale për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në hapësirën kibernetike.

Ajo vuri në dukje se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, së bashku me palët e tjera të interesuara në shoqëri, po punon seriozisht në politikëbërjen dhe marrjen e veprimeve për parandalimin dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në internet, dhunën seksuale dhe riprodhuese, promovimi i të drejtave të grave dhe vajzave, familjeve dhe komuniteteve.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është zotuar që të ketë zero tolerancë ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave duke ndërmarrë masa dhe aktivitete konkrete në një nga fushat prioritare, barazinë gjinore. Ky angazhim u konfirmua përmes miratimit të zotimeve kombëtare në Samitin në Nairobi në vitin 2019”, tha Trençevska.

Në kohën kur teknologjia dhe informacioni janë veçanërisht të përhapura, tha Trençevska, jemi dëshmitarë të keqpërdorimit të internetit dhe teknologjive digjitale për komunikim, dhunës ndaj grave, gjuhës së urrejtjes, seksizmit, keqpërdorimit të fotografive dhe videove dhe falsifikimit të tyre. Ne, gjithashtu jemi dëshmitarë që përmes rrjeteve sociale se sa shpesh përhapet gjuha e urrejtjes dhe seksizmi ndaj grave dhe vajzave. Prandaj, është detyrimi ynë i përbashkët që të luftojmë kundër kësaj shkeljeje të të drejtave njerëzore të grave.

Ajo informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është ndër vendet e para që e ka nënshkruar Konventën për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit) për të cilën në dhjetor të vitit 2017 Kuvendi miratoi Ligjin për ratifikimin. Në vitin 2021 u miratua Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje si aktiviteti i parë që synon zbatimin e Konventës. Ligji është plotësisht në përputhje me Konventën e Stambollit dhe synon të zgjerojë sistemin e parandalimit dhe mbrojtjes së të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore dhe në familje.

“Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje nuk janë më çështje private dhe shteti, përmes politikave gjithëpërfshirëse dhe të integruara, po punon seriozisht në parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës. Në atë drejtim janë themeluar 13 shërbime të specializuara për përkujdesjen e grave viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore (strehimore) në 6 rajone planifikuese”, tha Trençevska.

Përveç strehimoreve, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka ngritur qendra të specializuara këshillimi në territorin e RMV-së në 7 Rajone Planifikuese. Janë krijuar 10 qendra këshillimi të specializuara për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje dhe 8 qendra këshillimi të specializuara për trajtimin psiko-social për autorët e dhunës në familje.

Ajo theksoi rëndësinë e një qasjeje të përbashkët dhe përfshirjen e institucioneve dhe shoqërisë civile në luftën kundër dhunës.

Ministrja theksoi se Ministria e Punës do të vazhdojë përpjekjet e saj për promovimin e barazisë gjinore. Në këtë drejtim është edhe përgatitja e Ligjit të ri për Barazinë Gjinore i cili do të përmirësojë më tej mekanizmat për barazi gjinore në nivel lokal dhe kombëtar dhe procesin e përfshirjes së perspektivës gjinore në politika dhe procese.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.