26.09.2022

Trençevska: Kopshti i ri në Draçevë ofron kushtet më moderne për zhvillimin e fëmijëve parashkollorë

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot vizitoi kopshtin e ri “Flutura 3”, në vendbanimin Draçevë, Komuna e Kisella Vodës.

Kopshti, i cili u ndërtua në kuadër të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ofron përkujdesje për 110 fëmijë të moshës parashkollore.

Kopshti i sapondërtuar "Flutura 3", nën menaxhimin e IPKKF "8 Marsi”, ofron standarde të larta të kushteve hapësinore për qëndrimin e fëmijëve të përshtatur me moshën e tyre, si dhe zbatimin e metodave bashkëkohore për edukimin parashkollor që mundësojnë zhvillimin e duhur të fëmijës dhe realizimin e konceptit - të mësuarit përmes lojës.

Këtë e konstatuan gjatë vizitës në kopshtin e fëmijëve, ministrja Trençevska dhe kryetari i komunës së Kisella Vodës, Gjorgjievski.

.

“Jam vërtet krenar që me këtë objekt krejtësisht të ri po ua zgjidhim problemin e zjarrtë prindërve të lagjes Draçevë për përkujdesje ndaj fëmijëve dhe atë në kushtet më moderne që sigurojnë zhvillimin e duhur të fëmijërisë së hershme. Është dëshmi se si Qeveri dhe si ministri jemi plotësisht të përkushtuar në misionin e plotësimit të nevojave të qytetarëve për akses më të madh në shërbimet sociale dhe cilësi më të mirë të jetës. Angazhimi i Ministrisë është investimi i vazhdueshëm në ndërtimin e objekteve të reja moderne të kujdesit për fëmijët me efikasitet energjetik, si dhe zhvillim cilësor të fëmijërisë së hershme. Së bashku me pesë çerdhet nga ky Projekt, të cilat tashmë janë duke punuar, që nga viti 2017 janë ndërtuar 71 kopshte, që është një përfitim real për qytetarët. Gjithashtu dua të theksoj se përveç investimeve në infrastrukturë, Ministria është e përkushtuar edhe në ngritjen e kapaciteteve të kuadrit edukativo-arsimor në çerdhe me qëllim të ngritjes së cilësisë së zhvillimit të hershëm të fëmijërisë”, tha Trençevska.

Ndërtimi i kopshtit është 38,8 milionë denarë dhe 4,3 milionë denarë shtesë për arredimin e brendshëm. Ndërtesa e kopshtit “Flutura 3” në Draçevë është ndër objektet me performancë të lartë dhe ka një fasadë që ka funksionin e pastruesit, duke kapur grimcat e dëmshme nga ajri i ambientit që më pas largohen përmes shiut. Kopshti i ri është edhe me efikasitet energjetik, gjë që ka rëndësi të madhe për financimin e funksionimit të rregullt të tij nga komuna.

“Me kënaqësi të madhe sot jemi në kopshtin e ri në lagjen Draçevë, “Flutura 3”, ku do të kujdesen rreth njëqind fëmijë, para së gjithash nga kjo pjesë e komunës. Krahas vënies në funksion të këtij objekti, i cili u ndërtua gati dy vite më parë, por vetëm tani janë tejkaluar barrierat administrative për hapjen e tij, Komuna Kisella Vodë po punon intensivisht në ndërtimin e kopshteve të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve të objekteve ekzistuese. Jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së objektit ku do të hapet kopshti i parë në Usje. Këtu do të kujdesen rreth 100 fëmijë nga lagjet Usje, Staklara dhe Gradinar. Jemi duke punuar në zgjerimin e kapaciteteve të kopshtit “Gjurgjica” në Pinti. Tashmë ka filluar renovimi i objektit “Kokiçe”, ku do të mund të akomodohen 150 fëmijë të rinj, ndërsa ju kujtoj se objektin “Sinoliçka” tashmë e kemi zgjeruar nga IPKKF “Veseli Cvetovi”. Po ashtu, si Komunë kemi përgatitur projektin për një kopsht, krejtësisht të re në Rasadnik dhe aktualisht jemi duke punuar në ndërtimin financiar, gjegjësisht mënyrën e financimit të ndërtimit të tij. Me atë projekt po e zgjidhim çështjen e infrastrukturës parashkollore në afat të mesëm”, tha Gjorgjievski, duke falënderuar ministren Jovanka Trençevska.

Ndërtimi i kopshtit është në kuadër të Komponentit 2 të Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale, i cili synon rritjen e aksesit në shërbime cilësore për zhvillimin e fëmijërisë së hershme duke përmirësuar shërbimet e edukimit parashkollor, duke rritur aksesin në mjedise parashkollore cilësore dhe me efikasitet energjie dhe ofrimin e mundësive më të mira për të mësuar dhe arsimuar, sipas moshës së fëmijëve. Në kuadër të këtij komponenti kryhen aktivitete për rritjen e cilësisë së shërbimeve në institucionet parashkollore nëpërmjet përmirësimit të kurrikulave, trajnimit të stafit dhe inkurajimit të prindërve dhe familjeve për të mbështetur një qasje holistike ndaj zhvillimit të fëmijëve.

Nëpërmjet projektit, 16 bashki në vend do të marrin kopshte krejtësisht të reja ose të rindërtuara, të cilat do të sigurojnë kapacitetin për t'u kujdesur për gati 2000 fëmijë në disa qytete dhe qyteza.

Projekti për përmirësimin e shërbimeve sociale është pjesë e reformës gjithëpërfshirëse sociale të zbatuar nga Qeveria dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.