24.01.2022

Trençevska: Angazhimi i Qeverisë është rritja e pagës minimale në 18.000 denarë 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska sot pasdite u takua me kryetarin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski. Temë e mbledhjes së sotme, e cila u mbajt me ftesë të ministres Trençevska, ishte diskutimi i premtimit të Qeverisë për rritjen e pagës minimale. Ministrja theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për rritjen e pagës minimale.

 

Ajo informoi se dialogu social me të gjitha palët e interesuara në shoqëri, përfaqësues të punëdhënësve dhe punëtorëve vazhdon. Qëllimi është gjetja e zgjidhjes më të qëndrueshme për të gjitha çështjet e hapura. 

“Angazhimi i Qeverisë është që paga minimale të rritet në 18.000 denarë sa më shpejt gjatë këtij viti. Rritja e pagës minimale do të vazhdojë gjatë gjithë mandatit dhe deri në fund do të arrijë në 20.000 denarë. Ne si Qeveri dhe si Ministri po punojmë vazhdimisht për përmirësimin e statusit të punëtorëve. Ne e vlerësojmë punën e punëtorëve, veçanërisht në kushtet e krizës globale ekonomike dhe shëndetësore, dhe për këtë, duke e perceptuar gjendjen ekonomike të qytetarëve, rritja e pagës minimale është më se e nevojshme. Prandaj duhet të ketë një rritje të tillë, veçanërisht nëse dihet se kjo shkakton rritje spirale të të gjitha pagave si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik”, tha Trençevska. 

Në takim është diskutuar edhe për të drejtën e regresit për pushim vjetor – K15 për punëtorët, duke theksuar synimin e Qeverisë që ata të kenë të njëjtat të drejta. Trençevska nënvizoi se Qeveria është e hapur dhe e gatshme për dialog përmes të cilit do të arrihet zgjidhja më e përshtatshme. 

Ministrja theksoi se takimi i paraparë me përfaqësuesit qeveritarë dhe Lidhjen e Sindikatave është shtyrë për shkak të mungesës fizike të funksionarëve qeveritarë, për shkak të mbajtjes së seancës ndërqeveritare në Sofje të Bullgarisë, si dhe se takimi është planifikuar të zhvillohet më 31 janar.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.