Shahpaska: Qendra e parë e Resurseve Rinore në Gostivar është përgjigje ndaj nevojave të të rinjve në rajonin e Pollogut, duke i aktivizuar ata në tregun e punës dhe duke i inkurajuar frymën sipërmarrëse

 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, sot mori pjesë në hapjen e Qendrës së Resurseve Rinore “I can” në Gostivar, e para e këtij lloji në vend, dedikuar për të rinjtë nga rajoni i Pollogut. Misioni i Qendrës është të përgatisë të rinjtë për pjesëmarrje aktive në tregun e punës, duke inkurajuar frymën sipërmarrëse dhe zgjidhjet inovative të biznesit, duke mbështetur digjitalizimin dhe idetë e gjelbra, si dhe krijimin e bashkëpunimit më të ngushtë me sektorin privat në rajon.

 

Qendra e Resurseve Rinore është një model i një qendre gjithëpërfshirëse, digjitale, inovative dhe joformale, e cila do t’u përgjigjet plotësisht nevojave të të rinjve dhe mundësojë punësimin e tyre më të shpejtë dhe më efikas, por edhe do të krijojë mundësi që të rinjtë të jenë pjesë e sferës së sipërmarrjes.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, e riafirmoi angazhimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në krijimin e politikave rinore dhe mbështetjen e fortë për të rinjtë në forcimin e shpirtit të tyre sipërmarrës.

“Qendra e Resurseve Rinore në Gostivar do t’u ofrojë të njëjtën mbështetje të rinjve, për të zhvilluar kreativitetin dhe idetë e tyre të biznesit, me qëllim që ata t’i transformojnë me sukses në biznese reale dhe srart up kompani dhe për të marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me të gjithë aktorët në tregun e punës”, theksoi ministrja Shahpaska. Gjatë kësaj ajo theksoi se masat dhe programet aktive si pjesë e Planit Operativ të vitit të kaluar treguan realizim të lartë, pra vetëm në rajonin e Pollogut u hapën 231 biznese personale, nga të cilat 83 u themeluan nga të rinjtë. Ajo po ashtu iu referua zbatimit të projektit Garanci për të Rinjtë , në mënyrë që të pozicionohen më mirë të rinjtë në tregun e punës, me të cilin vitin e kaluar u punësuan 8,446 persona, kurse 2,000 të tjerë i shtuan aktivitetet e tyre të punës. Shtesa për të rinjtë, nga ana tjetër, mundëson që çdo i ri deri në moshën 23 vjeç, i punësuar në prodhimtari, të marrë shtesë mujore nga shteti në shumë prej 3,000 denarëve – me të cilin masë gjatë vitin të kaluar janë përfshirë 3474 persona.

 

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, e nënvizoi rëndësinë e një qendre të tillë për zhvillimin lokal dhe shprehu bindje se kjo qendër moderne e resurseve do të përmbushë nevojat e të rinjve në të gjithë rajonin e Pollogut. “Komuna e Gostivarit ofron mbështetjen e saj të plotë për funksionimin e saj me të gjitha kapacitetet në dispozicion”, theksoi Taravari.

Ambasadorja e Zvicrës, SH.S. Sibul Suter, theksoi se me mbështetjen e Qendrës “I can” Zvicra e konfirmon angazhimin për të përfshirë të rinjtë në të gjitha proceset e rëndësishme në nivelin lokal, dhe veçanërisht aktivizimin e suksesshëm të të rinjve në tregun e punës. Ky mision paraqet një sendërtim të kontributit zviceran në agjendën sociale lokale dhe një drejtim të ri në partneritetin afatgjatë me Qeverinë në promovimin e mundësive të punës për të gjithë.

 

“UNDP-ja bashkëpunon me të rinjtë dhe organizatat rinore, sektorin privat dhe institucionet qeveritare në mënyrë që të mbështesë dhe promovojë konceptin rinor. Ne besojmë se të rinjtë janë nxitës të ndryshimeve dhe partnerë shumë të rëndësishëm në realizimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Mënyra se si i përfshijmë të rinjtë në zhvillimet e rëndësishme globale do të përcaktojë suksesin e arritjes së zhvillimit të qëndrueshëm, rritjes dhe prosperitetit gjithëpërfshirës”, theksoi përfaqësuesja e Përhershme e UNDP, Narine Sahakjan.

 

Partneriteti me Universitetin e Evropës Juglindore, për rektorin Abdulmenaf Bexheti, është një hap përpara në krijimin e partneriteteve unike midis aktorëve të ndryshëm. “Ne si Universitet do të vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe ekspertizën tonë në mënyrë që të sigurojmë trajnime cilësore dhe inovative për të rinjtë, si dhe të sigurojmë bashkëpunim të ngushtë me kompani në rajonin e Pollogut”, theksoi Bexheti. Komuna e Tetovës i bashkëngjitet përkrahjes dhe agjendës lokale për Qendrën.

 

Nisma për të hapur Qendrën e Resurseve Rinore “I can” është pjesë e projektit për krijimin e mundësive për punë për kategori të cenueshme, përfshirë të rinjtë. Aktivitetet financohen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, kurse realizohen nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në partneritet me partnerët lokalë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.​

 

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.