29.03.2021

Debat publik për ndërtimin e kopshtit të ri në Mateç, komuna e Likovës

Pjesëmarrësit në debatin publik, që për shkak të mbrojtjes nga Covid-19 u zhvillua përmes video linkut, patën mundësinë të njihen me projektin për ndërtimin e kopshtit të ri në territorin e komunës së Likovës.

Konkretisht, kopshti i ri do të ndërtohet në vendbanimin Mateç dhe do të ketë kapacitet për t’u kujdesur për 102 fëmijë, të moshës prej 6 muaj deri në 6 vjeç. Në debatin publik, qytetarët e interesuar dhe përfaqësuesit e palëve të interesuara u njohën në detaje me planin grafik të objektit, përshkrimin e vendit ku do të ndërtohet, kapacitetin e tij, si dhe për projektin e planifikuar dhe aktivitetet ndërtimore që janë përshkruar në detaje në dokumentin “Vlerësimi fillestar i kufizuar i ndikimit në mjedisin jetësor dhe aspektet sociale gjatë ndërtimit të kopshtit të ri në komunën e Likovës”.

“Ky diskutim ishte një mundësi e mirë për qytetarët dhe të gjitha palët e përfshira direkt për të marrë informacionin bazë, si dhe përgjigjet e pyetjeve të tyre në lidhje me zbatimin e ndërtimit të kopshtit. Në të njëjtën kohë, kjo ishte një mundësi e shkëlqyeshme për të dëgjuar mendimet dhe propozimet e tyre për përmirësime të mundshme të projektit. Gëzon fakti që pjesëmarrësit në debatin publik e mirëpritën realizimin e këtij projekti me të cilin komuna e Likovës, që sipas statistikave të fundit ka rreth 2.200 fëmijë deri në 6 vjeç, do të pasurohet me një kopsht me kapacitet për 102 vende të reja” deklaroi Natasha T. Stojanovska, përfaqësuese e Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale.

 

Ndërtimi i kopshtit të ri në Mateç është pjesë e Komponentit 2 të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale (PPShS) të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, i cili mbështetet nga Banka Botërore, dhe që synon të zgjerojë aksesin dhe të përmirësojë cilësinë e sistemit për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore. Brenda këtij komponenti, vijojnë aktivitetet për ndërtimin e objekteve të reja dhe përshtatjen e atyre ekzistuese për kujdesin e fëmijëve të moshës parashkollore në 17 komuna në të gjithë vendin që kanë dorëzuar aplikacionet e tyre. Kopshtet e reja, pasi të ndërtohen, do të sigurojnë 7,500 vende shtesë për kujdes dhe edukim të fëmijëve të moshës parashkollore.

Më shumë informacione mbi aktivitetet në kuadër të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale (PPSHS) mund të gjenden në: www.ssip.mk.​

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.