U hap Njësia për Punë Sociale në Komunën e Likovës
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami, dje në mënyrë solemne e hapi Njësinë për Punë Sociale në Likovë.

Qytetarët e kësaj komune tani do të mund t’i sigurojnë dokumentet e tyre të nevojshme për realizimin e të drejtës për ndihmë sociale në vendbanimin e tyre.
“Është nder i madh dhe kënaqësi për mua të marrë pjesë në hapjen solemne të kësaj njësie. Qytetarët e komunës së Likovës prej tani nuk do të kenë nevojë që për dokument të thjeshtë të shkojnë deri në Kumanovë. Për fat të keq, Likova është një ndër komunat që ka numër më të madh të shfrytëzuesve të ndihmës sociale. Duke u nisur nga kjo, ne vendosëm të hapim këtu Njësinë për Punë Sociale”, theksoi ministri Bajrami.
Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku, theksoi se është shumë i kënaqur nga interesi dhe bashkëpunimi midis pushtetit lokal dhe atij qendror, respektivisht midis Komunës së Likovës dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, me shpresë se do të vazhdojë një bashkëpunim i këtillë.
Deri për tani në Njësinë për Punë – Likovë nuk janë paraparë punësime të reja, por do të ketë sistemim të një pjese të të punësuarve nga Qendra e Kumanovës në Likovë. |